Sport

Lehtësim te Liverpool: holandezi Van Dijk i ‘shkel syrin’ Reds për të rinovuar...

Qendërmbrojtësi përfundon kontratën me Reds në fund të sezonit

10 Shtator 2024, 16:06 Nga DOSJA

Lehtësim te Liverpool: holandezi Van Dijk i ‘shkel syrin’ Reds

ANGLI - Epoka e Arne Slot te Liverpool po fillon në mënyrë të përsosur, me tri fitore në tre ndeshje, por ka një çështje që shqetëson tifozët. Van Dijk, Salah dhe Alexander-Arnold përfundojnë kontratat e tyre në fund të sezonit dhe janë të lirë të negociojnë me klubet e tjera nga janari e tutje.

Megjithatë, nga qendërmbrojtësi holandez dhe kapiteni i ekipit, ka një aluzion për një rinovim. "Në kombëtare dhe në klub më shohin ende si lider i skuadrës. Dua të vazhdoj të jem i tillë edhe në dy vitet e ardhshme",- theksoi Van Dijk për televizionin holandez para ndeshjes së sotme me Gjermaninë në Ligën e Kombeve.

Mbrojtësi qendror është sugjeruar për një lëvizje në Arabinë Saudite, por është i përkushtuar të mbajë një rol të rëndësishëm te Liverpool dhe te ‘Portokallinjtë” deri në Kupën e Botës 2026, kur ai do të jetë 35 vjeç.

Në verë, ai kishte siguruar tashmë se ishte "shumë i qetë" për të ardhmen e tij te Reds, ku mbërriti në janar 2018 dhe fitoi, ndër të tjera, ligën angleze dhe Champions League.

Salah dhe Arnold kanë plane të tjera

Përkundrazi, Salah dhe Arnold duket se kanë plane larg Anfield. Egjiptiani po e nis sezonin me avull të plotë (tre gola dhe tre asistime në tre ndeshje), por në fund të ndeshjes klasike kundër Man.United njoftoi se ky do të ishte viti i tij i fundit në Liverpool.

"Askush në klub nuk ka folur me mua, kështu që do të jetë sezoni im i fundit këtu dhe do të shohim së shpejti. Nuk varet nga unë", tha sulmuesi 32-vjeçar, një nga objektivat kryesore të klubeve saudite.

Arnold, sipas shtypit anglez, ka hezituar të shkojë drejt rinovimit. Real Madridi është destinacioni për mbrojtësin 25-vjeçar të gjithanshëm.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll