Bota

Ukraina zmbraps një sulm rus në Harkiv, u rrëzuan 29 dronë kamikazë

Ky sulm u mbraps një ditë pasi 11 njerëz u vranë nga sulmet ruse në ofensivën e Moskës në rajonin e Harkivit, sipas zyrtarëve. Cak i sulmeve me dronë ishin edhe rajonet Odesa, Mikolaiv, Poltava dhe Lviv, sipas Forcave të Armatosura.

20 Maj 2024, 11:52 Nga N.F
Ukraina zmbraps një sulm rus në Harkiv, u rrëzuan 29 dronë
Foto ilustruese

UKRAINË- Ukraina ka thënë se i ka rrëzuar të gjithë 29 dronët kamikazë, të llojit Shahed, me të cilën Rusia e sulmoi Harkivin mëngjesin e së hënës. Forcat e Armatosura të Ukrainës thanë se Rusia e lëshoi edhe një raketë balistike Iskandar-M, por nuk treguan nëse ajo është zmbrapsur.

Ky sulm u mbraps një ditë pasi 11 njerëz u vranë nga sulmet ruse në ofensivën e Moskës në rajonin e Harkivit, sipas zyrtarëve. Cak i sulmeve me dronë ishin edhe rajonet Odesa, Mikolaiv, Poltava dhe Lviv, sipas Forcave të Armatosura.

Gjashtëmbëdhjetë dronë u rrëzuan mbi rajonin lindor Mikolaiv, ku një shtëpi banimi u kaplua nga flaka si pasojë e copëzave të dronëve të rrëzuar, tha guvernatori i këtij rajoni. Tre dronë të tjerë u rrëzuan mbi rajonin perëndimor Lviv, ku nuk u raportua për dëme nga zyrtarët lokalë.

Këtë pranverë, Rusia i ka rritur sulmet me dronë dhe raketa nëpër Ukrainë, duke i shkaktuar dëme të mëdha infrastrukturës së saj energjetike. Forcat ukrainase i rrëzuan të gjithë 90 dronët e llojit Shahed që Rusia i lëshoi në javën e fundit, tha zëdhënësi i ushtrisë ukrainase, Dmytro Lykhoviy.

Marrë nga REL

lufta rusi-ukraine

Sondazh

Poll