Politike

Dezinformimi, Tabaku: Ka pasur komisione qesharake, nuk kanë prodhuar asgjë, të diskutojmë së bashku për këtë çështje

Tabaku tha se këto komisione nuk mund të jenë të njëanshme dhe se ende pret një përgjgije nga ministri Hasani në lidhje me memorandumin e firmosur me sekretarin e shtetit Blinken në shkurtin 2024.

11 Prill 2024, 11:12 Nga M.B
Dezinformimi, Tabaku: Ka pasur komisione qesharake, nuk kanë prodhuar
Jorida Tabaku

TIRANA- Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, iu përgjigj kryetarit të grupit parlamentar të PS në lidhje me kërkesën e tij për ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Dezinformimin. Tabaku tha se këto komisione nuk mund të jenë të njëanshme dhe se ende pret një përgjgije nga ministri Hasani në lidhje me memorandumin e firmosur me sekretarin e shtetit Blinken në shkurtin 2024. Ajo shtoi se ky parlament ka pasur boll komisione qesharake, të cilat nuk kanë prodhuar asgjë.

Deputetja tha se është e udhës që për këtë Komision palët të diskutojnë bashkë se cila është mënyra më e mirë, pa cënuar vijën e hollë që prek lirinë e medias, për të mos e përdorur këtë Komision për betejën politike të ditës. Tabaku shtoi se raporti i Freedom House është problematik në lidhje me median dhe lirinë e medias dhe se shumë organizata të medias dhe gazetarë kanë ngritur shqetësim në lidhje me këtë komision të posaçëm.

Fjala e Tabakut:

Në lidhje me projektvendimin për ngritjen e Komisionit të Posaçëm, Pas vendimit të Konferencës së Kryetarëve, unë i kam nisur një shkresë ministrit të Jashtëm dhe kam qënë duke pritur përgjigjje në lidhje me memorandumin e nënshkruar me ShBA-në përsa i përket kësaj çështje. Kam pritur që dy kreytarët e grupeve, z. çuçi dhe z. Bardhi, të uleshin dhe të diskutonin. Kjo është një çështje shumë e rëndësishme e cila nuk duhet politizuar, nuk duhet bërë pjesë e retorikës dhe luftës politike së përditshme ku shpesh përfshihet parlamenti.

Kisha pritur që në këtë Komision palët të uleshin, duke pasur parasysh edhe çështjen sensitive të dizinformimit. Disa shoqata dhe organizata të shoqërisë civile, organizata të lirisë së medias, kanë ngritur shqetësime përsa i përket fushës së veprimit të këtij Komisioni. Unë besoj që ky parlament ka pasur boll komisione qesharake, të njëanëshme, të cilat nuk kanë prodhuar asgjë. Është e udhës që për këtë Komision palët të diskutojnë bashkë se cila është mënyra më e mirë, pa cënuar vijën e hollë që prek lirinë e medias, për të mos e përdorur këtë Komision për betejën politike të ditës. Çështja që prek ky Komision i Posaçëm, ashtu siç e thashë në Konferencën e Kryetarëve, është shumë e rëndësishme edhe për kolegët e opozitës.

Për këtë arsyje gjykoj që ky projektvendim duhet të rishikohet nga kolegë që kanë eksperiencë, duhet parë dhe vendimi i Parlamentit Europian, balanca që është ruajtur atje në përfaqësim për të pasur sigurinë maksimale që ky Komision i cili e ka veprimtarinë e tij deri në ditën e zgjedhjeve, sepse fillon sot dhe mbaron pikërisht pas një viti afati i tij, do të jetë ekskluzivisht për ndërhyrjet e huaja në proceset demokratike dhe menaxhimin e sulmeve. Për këto arysje kërkoj që vendimi të konsultohet me dy grupet parlamentare për një përfaqësim të drejtë dhe për të ruajtur shqetësimet që kanë ngritur dhe kryetarja e Komisionit të Medias, por dhe organizatat e shoqërisë civile përsa i përket lirisë së medias.

jorida tabaku

Sondazh

Poll