Sport

Ja kush është Stefan Ortega Moreno, portieri i Cityt që luajti kundër Realit…

Portieri spanjolo-gjerman i klubit anglez ka zëvendësuar Ederson gjatë dëmtimit të tij

10 Prill 2024, 19:15 Nga DOSJA
Ja kush është Stefan Ortega Moreno, portieri i Cityt që luajti

ANGLI - Që kur Ederson u dëmtua më 10 mars kundër Liverpoolit, Pep Guardiola ia ka dhënë çelësat e portës, Stefan Ortegës. Portieri gjerman ka më shumë se sa ka dhënë, duke u dëshmuar se është një portier i denjë për një klub të nivelit të Champions.

Në 14 ndeshjet që ka luajtur këtë sezon, ai ka pësuar 14 gola, me një mesatare prej një gol për ndeshje. Ai ka arritur ta ruajë portën të pastër në pesë ndeshje. Pas pesë sezoneve në një nivel të lartë në Arminia Bielefeld, veçanërisht dy të fundit në Bundesligë, skuadra e 'Qytetarëve' e vuri re dhe e mori Ortegën si lojtar të lirë në verën e 2022.

Ortega është djali i një nëne gjermane dhe një babai spanjol. Ai u rrit duke admiruar portierë si Oliver Kahn dhe Iker Casillas, por idhulli i tij i parë ishte babai i tij, Pepe.

"Ai ishte portier, edhe pse është vetëm 1.65 metra i gjatë (qesh). Babai im është heroi im dhe unë do të ulesha pas portës për ta parë dhe, pak më vonë, fillova ta imitoja,"- pranoi ai për 'Sporti 1'.

Këto janë disa deklarata që portieri ka bërë kur luante ende në Gjermani. Tani po fillojnë spekulimet për të ardhmen e tij. Spanjolo-gjermani 31-vjeçar aspiron të jetë portieri titullar në një ekip me aspirata në Evropë, diçka që do të jetë shumë e vështirë për Manchester Cityn me praninë e  Edersonit.

Braziliani tashmë është rikuperuar nga lëndimi i tij dhe mbrëmë ishte në pankinën e “Santiago Bernabeu”. Gjëja më e mundshme është që ai të rifitojë pozicionin e titullarit në ndeshjet e ardhshme, ndoshta tashmë në ndeshjen e dytë të çerekfinaleve të Champions League.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll