Politike

"Jemi të vetëdijshëm për kapacitetet tona", Rama: Ukraina ka nevojë për mbështetjen e të gjithëve

Rama ka shtuar se lufta nuk ndalet duke çarmatosur viktimën por duke ndalur agresorin. 

28 Shkurt 2024, 13:45 Nga I.A
"Jemi të vetëdijshëm për kapacitetet tona", Rama:
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Ukraina ka nevojë për mbështetjen e të gjithëve dhe jo vetëm të vendit tonë. Gjatë fjalës së tij në konferencën e përbashkët me Presidentin Volodymyr Zelensky, Rama ka theksuar se kushdo që pretendon se lufta ndalet nëse nuk do të ndihmohet më Ukraina, është cinike dhe absurde. Rama ka shtuar se lufta nuk ndalet duke çarmatosur viktimën por duke ndalur agresorin. 

“E mbështesim Ukrainën në mënyrë të palëkundur. Do ta mbështesim për sa kohë do të jetë e nevojshme dhe sa të ndodhë një paqe që zgjat. Shqipëria është një anëtare krenare, edhe pse e vogël e NATO-s. Bashkë me aleatët e NATO-s dhe partnerët tanë, kemi dënuar agresionin dhe kemi bërë gjithçka kemi mundur dhe do të bëjmë gjithçka që mundemi për të ndihmuar Ukrainën me të gjitha mjetet. Në të njëjtën kohë, jemi të vetëdijshëm për kapacitetet tona. Jemi të ndërgjegjshëm se ajo që ka nevojë Ukraina, është mbështetja e të gjithëve, ndihma dhe mbështetja e më të mëdhenjve dhe më të pasurve në bashkësinë tonë demokratike. E shohim me shqetësim që kjo mbështetje ndonjëherë ngecet, se Ukraina shndërrohet në çështje e politikës së brendshme të një vendi. Ose se ndodhin vonesa burokratike. Nëse demokracitë kanë procedurat e tyre, demokracitë janë më të vështira dhe komplekse për të punuar dhe sjellë rezultate, nga ana tjetër kemi një agresor që nuk ndalet për asnjë sekondë së godituri për të pasur më shumë territor, për të marrë jetët e pafajshme. Shumë njerëz në mbarë Evropën që deklarojnë se ti japësh Ukrainës për të mbrojtur kombin e vet është ajo çka po nxit vazhdimësinë e luftës. Ata pretendojnë se ndalja e dhënies së armëve do të sjellë paqe. Kjo është jo vetëm cinike, por edhe absurde. Nuk e ndal luftën duke çarmatosur viktimën, por e ndal luftën  duke ndalur agresorin”, tha Rama.

edi rama volodymyr zelensky

Sondazh

Poll