Sport

Qarkullon i lirë në Brazil! Santosi distancohet nga polemikat e fundit për Robinhon: "Askush nuk e ftoi"...

Ish-lojtari i dënuar për përdhunim në Itali është shfaqur në një festë klubi

28 Shkurt 2024, 13:30 Nga DOSJA

Qarkullon i lirë në Brazil! Santosi distancohet nga polemikat e fundit

BRAZIL - Robinho, i dënuar në Itali me nëntë vjet burg për dhunë seksuale, vazhdon të jetojë në Brazil pa kryer dënimin. Legjislacioni brazilian nuk lejon ekstradimin e shtetasve të tij, ndaj ish-futbollisti vazhdon të 'shmangë' burgun, ndonëse përpiqet të kalojë ditët pa u vënë re.

Megjithatë, mediat braziliane raportuan se ai u shfaq në qendrën stërvitore të Santos këtë javë dhe se ai mund të shihej duke përshëndetur lojtarët dhe duke marrë pjesë në një festë, veçanërisht në një ‘barbecue’ që klubi kishte planifikuar për të festuar rezultatet e mira të fundit të ekipit në kampionatin Paulista. Gjithsesi kjo ishte një vizitë nga e cila Santos donte të distancohej.

“Santos FC sqaron se ish-lojtari Robinho ishte këtë të martë (27) në CT Rei Pelé, për të shoqëruar djalin e tij Robson, një lojtar në kategorinë nën 17 vjeç, për një ekzaminim mjekësor dhe thjesht përshëndeti pjesëmarrësit në ‘barbecue’ e mbajtur nga komiteti teknik dhe bordit drejtues. Klubi bën të qartë se nuk ka pasur ftesë dhe aq më pak pjesëmarrje në festë”,- thuhet në njoftimin e klubit.

“Globoesporte” siguron se nuk është hera e parë që Robinho shfaqet në qytetin sportiv, se ai është i rregullt në seancat stërvitore të djalit të tij dhe se punonjësit e qendrës bëjnë fotografi rregullisht me të.

Gjykata e Kasacionit e Romës, shkalla e fundit e gjyqësorit në Itali, ratifikoi në vitin 2022 dënimin me nëntë vjet për Robinhon dhe mikun e tij Ricardo Falco për “dhunë seksuale në grup” ndaj një të reje shqiptare në një klub nate në Milano në vitin 2013. 

Në muajt e fundit, Ministria Federale Publike (MPF) e Brazilit kërkoi që ish-futbollisti të vuante në vend dënimin e vendosur ndaj tij në Itali për përdhunimin e një gruaje sepse "ekziston rreziku i lejimit të mosndëshkimit për një krim materialiteti dhe autorësia e të cilit janë njohur ndërkombëtarisht”.

Pak muaj më parë dolën në dritë audiot që Robinho dhe të përfshirët në këtë përdhunim, dërguan në vitin 2014 për t'u mbrojtur kundër akuzave të mundshme. 

"Edhe nëse më thërrasin për diçka, nuk ka problem. Shkoj atje dhe them: së pari, historia ishte një vit më parë. Së dyti, nuk e preka atë vajzë",- thotë Robinho, shqetësimi kryesor i të cilit ishte se rasti do të botohej në shtyp: "Kam frikë... nëse nuk del në shtyp, është shumë mirë. Imagjinoni: "Shokët e Robinhos përdhunojnë një vajzë në Itali. Çfarë faze!"

Nga audiot bëhet e qartë se ka pasur një marrëdhënie në grup dhe se gruaja ishte pa ndjenja për shkak të konsumimit të alkoolit. 

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll