Art&Argëtim

PROFIL/ Sara Karaj, influencuesja e parë e regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit

28-vjeçarja, nënë e dy fëmijëve e tregon me shumë krenari momentin që është regjistruar në QKB.

27 Shkurt 2024, 17:06 Nga Kasandra Pali
PROFIL/ Sara Karaj, influencuesja e parë e regjistruar në Qendrën
Sara Karaj

Sara Karaj është influencuesja e parë në Shqipëri e regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit. 28-vjeçarja, nënë e dy fëmijëve e tregon me shumë krenari momentin që është regjistruar në QKB.

“Kur kam bërë regjistrimin, në atë periudhë as nuk perceptohej çfarë ishte influencer”, shpjegon Sara. “Më është dashur shumë punë në zyrat e QKB-së që t’u shpjegoja se çfarë bëja konkretisht, çfarë doja të regjistroja, nga çfarë fitoja që unë të kisha një numër nipti”, thotë ajo.

Kushdo që mendon se Sara Karaj rrjedh nga një familje e pasur, mendon gabim. Familja e saj thotë ajo që nuk ka patur shumë të ardhura. 10 vitet e para të jetës së saj, i ka kaluar në një dhomë vetëm 10 metra katrorë, ku aty hante, pinte, flinte, mësonte, kuzhina ishte po në ato 10 metra katrorë. E apasionuar gjithmonë pas artit, Sara thotë se që kur ishte e vogël, mbante një çantë ku bënte vizatime dhe krijime, ndërsa e përshkruan veten si një njeri shumë social.

PROFIL/ Sara Karaj, influencuesja e parë e regjistruar në Qendrën
foto ilustruese

28-vjeçarja tregon se në gjimnaz dëshironte që të studionte për arte në lice, për pikturë konkretisht. Ëndrra e saj u pengua nga e ëma, e cila nuk ia ka lejuar një gjë të tillë, madje Sara u profilizua në gjimnaz për matematikë të avancuar. Studimet i ka kryer në Gjermani për arkitekturë, në universitetin më të mirë të Mynihut, por atmosfera që ajo gjeti aty nuk përshtatej me natyrën e Sarës. Duke qenë shumë sociale, ajo shpjegon se nuk gjeti veten në Mynih, ndaj dhe vendosi të kthehej në Shqipëri.

“Jam kaq njeri i çlirët, social dhe aty ishte një vend shumë i vogël. Nuk krijoja atë shoqërinë që unë do të doja, vendosa që të kthehesha në Shqipëri, nuk jetoja dot në atë mënyrë dhe me atë komunikim të ftohtë”.

Duket pak kontradiktore, por Sara thotë se ka kaluar një fazë depresioni kur u kthye në Shqipëri nga Gjermania. Gjatë viteve të studimit në Gjermani, shoqëria e saj në Shqipëri kishte ndryshuar shumë, nuk e gjeti ashtu si e la. Për të kaluar këtë mërzi, Sara tha se nisi një kanal në youtube. Në atë kanal, nëpërmjet videove që postonte, Sara pa kuptuar, po bëhej pjesë e asaj bote influencimi që sot ka marrë frerët në duar falë teknologjisë.

Sara nuk është vetëm influencuesja e parë shqiptare e regjistruar në QKB, por zotëron kompaninë e parë shqiptare të kozmetikës që prodhon produkte në Itali. Influencimi ka ndikuar tek Sara që ajo të bëhet një biznesmene e zonja dhe inovatore në këtë treg.

PROFIL/ Sara Karaj, influencuesja e parë e regjistruar në Qendrën
foto ilustruese

“Nisi si një gjë e vogël dhe nuk e prisja këtë sukses. Sot ka shumë pak njerëz që mos të kenë dëgjuar për kompaninë SCosmetics ose vajza që s’kanë provuar të paktën një produkt nga SCosmetics. E kam hapur kompaninë në moshën 24-vjeçare dhe më është dashur kohë të bëj kërkime që kompanitë të prodhojnë për ne, pasi në Itali ka brande shumë gjigande dhe nuk e dinin që në Shqipëri ka njerëz dhe kompani që duan të prodhojnë dhe jo thjesht të distribuojnë. Këtë lojën me Italinë e kam hapur unë”, tregon Sara.

Gjëja që Sara e tregon me shumë krenari është se është financiarisht e pavarur dhe  nuk varet nga askush. Periudha më e vështirë në jetën e saj ka qenë lindja e bebit të dytë.

“Kam lindur dhe kam kaluar eksperiencën timë më të keqe në jetë duke e lindur para kohe dhe duke kaluar një situatë që na vinte në rrezik jetën time dhe të Gregut, nuk do e harroj kurrë dhe mendoj se ky ishte depresioni im i dytë”, përfundon Sara.

sarakaraj influence profil

Sondazh

Poll