Politike

GJK miratoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë, Zaçaj: Juridiksioni i shtetit shqiptar, i pamohueshëm

Ndërkohë më herët ditën e sotme, Bledi Çuçi ka bërë me dije se të enjten në Kuvend do të bëhet votimi i marrëveshjes. 

5 Shkurt 2024, 11:24 Nga r.ll
GJK miratoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë,
holta zacaj

TIRANË- Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, në konferencën e sotme u pyet nga gazetarët edhe për marrëveshjen Shqipëri-Itali për emigrantët, për të cilën GJK dha miratimin për ratifikimin e saj në parlament. Ajo tha se vendimi është duke u punuar, por me atë që është bërë publike deri më tani, sipas saj se shteti shqiptar ka përgjegjësi në lidhje me zonat që do t’i jepen në administrim shtetit italian.

Zaçaj theksoi se juridiksioni shqiptar aty është i pamohueshëm dhe vjen nga Kushtetuta ku shteti shqiptar ka detyrimin për të qenë përgjegjës për zbatimin e të drejtave kushtetuese, por edhe vetë Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

“Vendimi është duke u punuar. Do i përmbahem deklaratës për shtyp. Gjykata tha me bindje se shteti shqiptar vijon të ketë juridiksion. Thamë që përgjegjësia e shtetit shqiptar vazhdon të mbetet, nuk mohuam përgjegjësinë e shtetit shqiptar lidhur me këto zona, e pamë juridiksionin e shtetit italian në funksion të detyrimeve që ka shteti italian në bazë të se drejtës ndërkombëtare. Ajo që ne thamë në kuptimin e juridiksionit të dyfishtë apo ekstraterritorial që lind, ne këtë e pranuam si një gjë faktike që ndodh, marrëveshja futet në hiearkinë e normave. Është e vendosur në një rang hierarkik nga vetë Kushtetuta. Konventa europiane e të drejtave të njeriut është në nivel kushtetues. Në këtë kuadër juridiksioni që vjen nga Kushtetuta, vijon të mbetet dhe nuk vihet në diskutim”, tha Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese.

Kujtojmë se pak ditë më parë Kushtetuesja i dha dritën jeshile marrëveshjes mes Italisë dhe Shqipërisë, për ratifikimin e saj në parlament, duke rrëzuar kështu kërkesën e deputetëve demokratë që kërkonin shpalljen e saj si antikushtetuese. Ndërkohë më herët ditën e sotme, Bledi Çuçi ka bërë me dije se të enjten në Kuvend do të bëhet votimi i marrëveshjes. 

holta zaçaj marreveshja me italine per emigrantet gjykata kushtetuese

Sondazh

Poll