Politike

Brenda seancë plenare, jashtë protestë nga opozita/ Çfarë pritet të ndodhë sot në Kuvend?

Numri i deputetëve të opozitës që lejohen të marrin pjesë në seancë është më i vogël, pasi 19 prej tyre janë përjashtuar.

5 Shkurt 2024, 07:46 Nga r.ll
Brenda seancë plenare, jashtë protestë nga opozita/
kuvendi

TIRANË- Pasditen e sotme pritet të zhvillohet seanca e radhës plenare. Ndërkohë në të njëjtën orë, në 17:00 pritet të nisë protesta e lajmëruar nga deputetët e opozitës. 

Këta të fundit do të protestojnë brenda Kuvendit duke tentuar të bllokojnë zhvillimin e seancës. Protesta mbahet në kuadër të aksionit opozitar, pasi opozitës nuk i janë plotësuar kërkesat për ngritjen e komisioneve hetimore dhe ndryshimi i anëtarëve të Komisionit të Reformës Zgjedhore.

Numri i deputetëve të opozitës që lejohen të marrin pjesë në seancë është më i vogël, pasi 19 prej tyre janë përjashtuar. Sot mbledhja e Parlamentit do të fokusohet vetëm te diskutimet për problemet e qytetarëve dhe nuk ka ligje që duhen miratuar e në kushtet kur opozita do të bllokojë foltoren, pritet që seanca të zgjasë vetëm pak minuta.

Më pas deputetët që njohin si kryetar të PD-së, Sali Berishën, do t’u bashkohen protestuesve jashtë ambienteve të Parlamentit dhe rreth orës 18:00 pritet që demokratët të zhvendosen te rruga pranë shtëpisë së liderit të opozitës Berisha, i cili prej datës 30 dhjetor ndodhet në arrest shtëpie. Në një nga fjalimet e tij nga dritarja e banesës para mbështetësve, Berisha tha se socialistët duhet të bashkohen me opozitën në protestë pasi dëshmuan se si Arben Ahmetaj tha se Edi Rama e kishte kërcënuar.

seance plenare 5 shkurt 2024

Sondazh

Poll