Politike

Kaso: Qëllimi me vezë i deputetit Vangjel Dule, një tjetër dëshmi e dorës së zezë së Ramës dhe patronazhistëve të tij

Incidenti ka ndodhur përpara godinës së Prokurorisë së Posaçme, ku Dule po futej për të marrë pjesë në seancën gjyqësore të Fredi Belerit.

24 Janar 2024, 16:25 Nga r.ll
Kaso: Qëllimi me vezë i deputetit Vangjel Dule, një tjetër
ivi kaso

TIRANË- Sekretari për çështjet ligjore në Partinë Demokratike, Ivi Kaso ka reaguar pas sulmit të bërë ndaj deputetit të PBDNJ, Vangjel Dule mëngjesin e sotëm.

Kaso është shprehur se akti i terrorit simbolik dhe fizik, me qëllim fyerjen dhe intimidimin e deputetit, Vangjel Dule, është një tjetër dëshmi e dorës, sipas tij të Edi Ramës dhe patronazhistëve të tij, të ngritur mbi opozitën shqiptare.

Incidenti ka ndodhur përpara godinës së Prokurorisë së Posaçme, ku Dule po futej për të marrë pjesë në seancën gjyqësore të Fredi Belerit. Siç shihet në videon e siguruar nga Dosja.al, ai qëllohet dy herë më vezë, por njëra prej tyre është përplasur në një makinë të parkuar aty pranë. Ndërkohë që veza tjetër e hedhur në drejtim të tij, e ka kapur në pjesën e mesit.

DEKLARATA E PLOTË: 

Akti i terrorit simbolik dhe fizik, me qëllim fyerjen dhe intimidimin e deputetit, Vangjel Dule, është një tjetër dëshmi e dorës së zezë të Edi Ramës dhe patronazhistëve të tij, të ngritur mbi opozitën shqiptare.

Të qëllosh me vezë një deputet, kryetar partie opozitare, që po shkon në senacën e gjyqit të një të burgosuri politik të regjimit, është shenja flagrante se qeveria dhe patronazhistët nuk përmbahen më në qëllimet e tyre.

Atë që e bënin fshehtas me McGonigalin, për të asgjësuar opozitën, tani guxojnë ta kryejnë haptas. Pasi shpërfillin Kushtetutën dhe nuk i lejojnë opozitës komisonet hetimore parlamentare, pasi heqin emrin e Sali Berishës si drejtues i koalicionit, pasi mbajnë peng simbolet e Partisë Demokratike me gjykata, tani, po në dyer të gjykatave të tyre, qëllojnë një deputet opozitar.

Ata cënojnë kështu, jo vetëm raportet e pushteteve, rolin e opozitës në sistem, por edhe balancën etnike të ruajtur me fanatizëm nga shqiptarët ndër shekuj.

Vangjel Dule, si përfaqësues i opozitës dhe i minoritetit grek në Shqipëri, është sot viktimë e dyfishtë e Ramës dhe patronazhistëve të Rilindjes.

Edi Rama që ka shkatërruar marrëdhëniet me një vend mik, si dhe prospektin e antarësimit në BE, nuk e ka për gjë të urdhërojë që përfaqësuesi i minoritetit grek që ka jetuar në Shqipëri, në harmoni për qindra vite, të goditet publikisht.

Vangjel Dule nuk është ministër dhe as deputet i qeverisë. Ai nuk ka gjë në dorë në kuptimin e pushtetit, përvec mandatit të zgjedhësve të tij dhe përfaqësimit të tyre në Parlament. Në këtë kuptim goditja e tij është manifestim i pushtetit, që nuk duron dot më as fjalën e lirë në media dhe as përfaqësimin në gjykatë.

Partia Demokratike i bën thirrje Ramës të lidhë zagarët e patronazhimit që i ka vënë në rolin e patriotit dhe të kthehet në krye të fiqirit, sepse kryesimin e qeverisë ia ka dorëzuar bandave të krimit dhe drogës.

Ne e sigurojmë minoritetin grek në Shqipëri, vendin mik Greqinë, se ky është një akt i shkëputur nga fjalori i urrejtjes së Ramës dhe nuk mund ta prishë balancën dhe mirëkuptimin që shqiptarët kanë dhe do të kenë.

Patriotëve të vezës, që kanë dalë nga veza e prishur e Rilindjes, u bëjmë thirrje të mbajnë dorën, sepse Shqipëria është e projektit europian, jo e betonizimit të Himarës. Kush bëhet ushtar i betonizimit të bregdetit dhe e shet veten si patriot, është dy herë i mjerë.

ivi kaso vangjel dule

Sondazh

Poll