Bota

Edhe Britania si SHBA, sanksione kundër kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor

Mitchell tha se vrasjet që vinin në shënjeshtër civilët në Bregun Perëndimor ishin plotësisht të neveritshme dhe Mbretëria e Bashkuar po bënte presion që ata që janë përgjegjës të ndiqen penalisht dhe të ndëshkohen.

11 Dhjetor 2023, 22:49 Nga A.TH
Edhe Britania si SHBA, sanksione kundër kolonëve izraelitë
Ushtria

ANGLI- Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar bëri të ditur se po përgatitet të ndjekë Shtetet e Bashkuara në vendosjen e sanksioneve ndaj kolonëve izraelitë përgjegjës për sulmin ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor. Andrew Mitchell, ministri i lartë i Jashtëm, u tha deputetëve se Sekretari i Jashtëm David Cameron, e ka diskutuar propozimin javën e kaluar me homologun e tij amerikan, Antony Blinken.

SHBA njoftoi javën e kaluar se kolonët izraelitë përgjegjës për atë që e quajti dhunën ekstremiste do t'i nënshtroheshin një ndalimi të vizave dhe nuk do të mund të udhëtonin në Amerikë. Mitchell po i përgjigjej një pyetjeje nga Sekretari i Jashtëm Shadoë, David Lammy, i cili pyeti nëse qeveria ishte dakord që kolonët e përfshirë në sulme, aktivitete të rënda kriminale dhe nxitje të urrejtjes duhet t'i nënshtrohen ndalimeve të udhëtimit. Mitchell u përgjigj duke thënë se vrasjet që vinin në shënjeshtër civilët në Bregun Perëndimor ishin plotësisht të neveritshme dhe Mbretëria e Bashkuar po bënte presion që ata që janë përgjegjës të ndiqen penalisht dhe të ndëshkohen.

“Për sa i përket komentit rreth ndalimeve të udhëtimit, mund të them se planifikimi po vazhdon. Sekretari i Jashtëm e diskutoi këtë me homologun e tij amerikan javën e kaluar dhe shpresoj se mund të jetë e mundur të thuhet diçka për këtë së shpejti" deklaroi Mitchell.

Javën e shkuar edhe Gjermania u bëri thirrje vendeve të BE-së që të vendosnin sanksione kundër kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor.

andrew mitchell david cameron

Sondazh

Poll