Bota

Me dokumentet e falsifikuara, Ukraina akuzon Rusinë se i vjedh grurin në zonat e pushtuara

Operacionet e grurit kryhen në fshehtësi pas një mburoje trupash ruse, artilerie dhe fushash të minuara, dhe detajet se ku përfundon prodhimi ukrainas është e vështirë të gjurmohet.

11 Dhjetor 2023, 22:37 Nga A.TH
Me dokumentet e falsifikuara, Ukraina akuzon Rusinë se i vjedh grurin
Grure

UKRAINË- Ukraina akuzon Rusinë se po përvetëson grurin e prodhuar në tokat e saj nga fermerë ukrainas, duke e shitur si grurë i prodhuar në Rusi. Ndërsa Rusia ka bërë me dije se ka të korra rekord të grurit, zyrtarët ukrainas dhe ekspertët e bujqësisë pohuan se kushtet nuk janë të mjaftueshme për të shpjeguar korrjen gjigante. Ata thonë se në vend të kësaj, gruri ukrainas po eksportohet i maskuar si prodhim rus.

The Guardian shkruan se fermat vihen nën kontrollin e forcave pushtuese përmes mjeteve brutale, sipas prokurorëve dhe një dëshmitari, ndërsa prodhimi i drithit dyshohet se rrjedh në kompanitë ruse, duke përfshirë një kompani me lidhje me rrethin e Putinit. Britania i ka goditur kompanitë apo individët që vjedhin apo rishesin grurin ukrainas, duke e shitur si prodhim rus, por perëndimi e ka shmangur deri më tani  vendosjen e kufizimeve të përgjithshme mbi eksportet ruse të ushqimit siç kanë bërë me mallra të tjera si nafta. Një këshilltar i presidencës ukrainase zbërthen skemën rusë për konfiskimin e grurit.

"Ata thjesht marrin të gjithë grurin që munden, e dërgojnë atë kryesisht në rrugë tokësore në Rusi, bëjnë dokumente të falsifikuara, duke thënë se nuk është nga territori i pushtuar, se ai erdhi nga Rusia, pastaj e eksportojnë atë,” tha këshilltari i presidencës.

Lindja e Mesme dhe Afrika janë tregjet kryesore. Sipas rrëfimeve nga territori i pushtuar, rusët dhe bashkëpunëtorët e tyre kanë përdorur forcën për të konfiskuar fermat e ukrainasve. Operacionet e grurit kryhen në fshehtësi pas një mburoje trupash ruse, artilerie dhe fushash të minuara, dhe detajet se ku përfundon prodhimi ukrainas është e vështirë të gjurmohet.

lufta ukraine-rusi

Sondazh

Poll