Politike

Seanca në KQZ, avokati i "Bashkë Fitojmë": Hajdari ka bërë shkelje, nuk ka deklaruar dënimin në formular

Ai thotë se nuk ka deklaruar dënimin në formularin e vetëdeklarimit, duke theksuar se nuk ka rëndësi sa është masa e dënimit, por ligji e detyron që ta deklarojë.

14 Nëntor 2023, 12:15 Nga A.B
Seanca në KQZ, avokati i "Bashkë Fitojmë": Hajdari ka
Avokatet

TIRANË- Avokati i koalicionit 'Bashkë Fitojmë', Franc Nuri në seancën e KQZ ku po shqyrtohet mandati i kryebashkiakut të Kuçovës Kreshnik Hajdari, thotë se duhet t’i hiqet menjëherë. Ai thotë se nuk ka deklaruar dënimin në formularin e vetëdeklarimit, duke theksuar se nuk ka rëndësi sa është masa e dënimit, por ligji e detyron që ta deklarojë.

“E kemi depozituar si koalicion BF që në muajin prill të 2023 dhe prisnim që sot të vinim në këtë fazë. I qëndrojmë qëndrimit se mandati duhet ndërprerë menjëherë për shkaqet si vijon, nuk ka rëndësi masa apo lloji i dënimit, sipas ligjit ka rëndësi nëse kjo gjë është deklaruar apo jo në formular. A është i dënuar zotëria me vendim të formës së prerë? Prokuroria e Përgjithshme thotë po. A e ka deklaruar në formular? Përgjigja është jo. Çfarë parashikon ligji dhe vendimi i Kuvendit? Parashikon ndërprerje të menjëhershme të mandatit, qoftë edhe një vendim administrativ. Pak rëndësi ka masa e dënimit, rëndësi ka që vendimi është i formës së prerë dhe nuk është deklaruar”, tha Nuri.

Sot në KQZ ka nisur seanca për shqyrtimin e rezultatit të verifikimit të Prokurorit të Përgjithshëm, për subjektin vetëdeklarues Kreshnik Riza Hajdari, Kryetar i Bashkisë Kuçovë, Qarku Berat, i propozuar nga subjekti zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë. Drejtësia greke i ka përcjellë ministrisë sonë të Drejtësisë, një vendim që fakton se kryebashkiakut i Kuçovës, Kreshnik Hajdari është dënuar nga gjykata e Janinës, ndërkohë që në formularin e vetëdeklarimit ka thënë se nuk është i dënuar.

Gjykata në Janinë e ka gjetur fajtor Hajdarin për hyrje në territorin grek në mënyrë të paligjshme dhe e ka dënuar në 23 qershor të vitit 1999 me “masë riedukuese të qortimit”, pasi në atë vit, kryebashkiaku i zgjedhur ka qenë vetëm 17 vjeç. Sipas vendimit të drejtësisë greke, i pandehuri Kreshnik Hajdari, në atë kohë me statusin punëtor, ka qenë i pranishëm në procesin gjyqësor.

Kërkesën në KQZ për verifikimin e pastërtisë së figurës së kryetarit të Bashkisë së Kuçovës e dorëzoi në KQZ koalicioni “Bashkë Fitojmë” dhe verifikimet i kreu Prokuroria e Përgjithshme./Dosja.al

kreshnik hajdari

Sondazh

Poll