Sport

Drejtuesit e Manchester United mbështesin trajnerin, kanë besim te Ten Haag…

Specialisti holandez është njeri i besuar nga drejtuesit e “Old Trafford”

6 Tetor 2023, 11:30 Nga DOSJA
Drejtuesit e Manchester United mbështesin trajnerin, kanë besim te Ten

ANGLI - Drejtuesit e Manchester United nuk kanë ndërmend të ndryshojnë trajnerin Erik ten Haag, raporton “The Guardian”. Specialisti holandez ka mbështetjen e shefave të “Djajve të Kuq”, pavarësisht paraqitjes së pakënaqshme të skuadrës.

Siç besojnë shumica e tifozëve të United, Erik ten Haag nuk është fajtori kryesor për rezultatet e dobëta të ekipit. Njëkohësisht, bëhet e ditur se klubi ende nuk ka ndërmend të diskutojë për të ardhmen e ish-trajnerit 53-vjeçar të Ajax-it. Drejtuesit besojnë se Ten Haag është njeriu i duhur për punën në “Old Trafford” dhe besojnë se holandezi mund të arrijë sukses me ekipin në të ardhmen.

Te Man.United janë të mendimit, se një nga arsyet e paraqitjes së pasuksesshme të skuadrës janë dëmtimet. Lista e lojtarëve në infermierinë e “Old Trafford” është shumë e gjatë. Gjithsesi, “Djajtë e Kuq” kanë në dispozicion lojtarë të klasit në skuadër, ndaj është koha për të ngritur nivelin dhe për të treguar paraqitje më të mira për të përmirësuar rezultatet e tyre.

Manchester United ka regjistruar 6 humbje në 10 ndeshje në fillim të sezonit. Në Champions League, “Djajtë e Kuq” janë në vendin e fundit në Grupin ‘A’ pas dy humbjeve kundër Bayernit jashtë dhe Galatasaray në shtëpi. Në Premier League, skuadra e drejtuar nga Ten Haag zë vendin e 10-të në tabelë.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll