Politike

Rama: Jemi kundër deklaratës së 19 shtatorit nga Borell, nuk reflekton sulmin e 24 shtatorit

Rama thotë se linja e Shqipërisë është 100% me BE, por shton se ky është momenti për të dënuar me zë të lartë atë që ka ndodhur në veriun e Kosovës.

27 Shtator 2023, 14:18 Nga A.B
Rama: Jemi kundër deklaratës së 19 shtatorit nga Borell, nuk
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka komentuar qëndrimin e Shqipërisë ndaj deklaratës së Bashkimit Europian për dialogun Kosovë–Serbi. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Zv/Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm italian, Antonio Tajani, Rama u shpreh se qëndrimi i BE nuk përfaqëson ngjarjet e fundit që kanë ndodhur mes Kosovës dhe Serbisë. 

Po ashtu, Rama thotë se linja e Shqipërisë është 100% me BE, por shton se ky është momenti për të dënuar me zë të lartë atë që ka ndodhur në veriun e Kosovës.

DEKLARATA E RAMËS:

“Për t’u kthyer tek pyetja lidhur me qëndrimin tonë për të herë të parë, të paktën në 10 vitet e fundit në kundërshtim me një deklaratë të politikës së jashtme të Bashkimit Europian, ky qëndrim lidhet me faktin se deklarata e Bashkimit Europian është një deklaratë, e cila jo se në vetvete ka problem, pasi adreson gjithçka që është thënë më parë nga përfaqësuesi i lartë Joseph Borrell lidhur me detyrimet e Kosovës në raport me dialogun, por ka një problem të madh që nuk i përgjigjet realitetit të ditëve të fundit dhe ne e kemi të pamundur të linjëzohemi me Bashkimin Europian pa parë një deklaratë të dytë që adreson problematikën e ditëve të fundit, ku ka ndodhur një zhvillim dramatik pasi është vrarë një efektiv i Policisë së Republikës së Kosovës nga një grup kriminal që ka qenë qartësisht i investuar për të ushtruar terror në veriun e Kosovës, gjë që është pasuar nga shpallja e një ditë zie kombëtare në Beograd.

Kjo për ne është e papranueshme, është e pajustifikueshme madje është e dënueshme sepse është jo europiane dhe sepse njëkohësisht është sinjali më i keq që Serbia mund të jepte në këtë moment për të gjithë rajonin dhe për Europën dhe kemi kërkuar që Bashkimi Europian, i gjithë komuniteti euroatlantik të vërë alarmin në nivelin më të lartë, alarmin demokratik në nivelin më të lartë e të përdorë gjithë instrumentet në dispozicion për t’i kthyer mesazhin e duhur këtij mesazhi krejtësisht të papranueshëm që vjen nga shpallja e zisë kombëtare në Beograd dhe deri në momentin ku nuk do të ketë një deklaratë të dytë të Bashkimit Europian për të vendosur me drejtësi një gjykim për ditët e fundit, ne nuk do të linjëzohemi me deklaratën e parë.

Në momentin që del deklarata e dytë e nëse deklarata e dytë e bën këtë që ne kërkojmë, atëherë ne nuk kemi asnjë problem të linjëzohemi me deklaratën e parë sepse pavarësisht se çfarë bën Serbia, gjë me të cilën ne kemi punë me Serbinë, ne nuk i heqim asnjë presje të gjitha kërkesave të Bashkimit Europian e të komunitetit euroatlantik për Kosovën dhe në këtë pikë linja jonë është 100% linja e Bashkimit Europian dhe e komunitetit euroatlantik, por ama e përsëris, ky është momenti për të dënuar me zë të lartë atë që ka ndodhur në veriun e Kosovës dhe atë që pastaj ka pasuar në Beograd me shpalljen e një ditë zie kombëtare që heroizon angazhimin e një grupi kriminal për të ushtruar terror në veriun e Kosovës”.

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se blloku evropian kërkon që Kosova dhe Serbia “pa vonesa” të nisin zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve.

“Ajo se çfarë duam ne, çfarë kërkojmë është nisja e zbatimit bazuar në propozimin tonë, pa vonesa të mëtejme, dhe kjo përfshin edhe obligimin për të dyja palët që të zbatojnë plotësisht marrëveshjet e arritura më herët në dialog. Normalizimi është proces, është rrugë dhe është zbatim”, tha Borrell.

edi rama tensione në veri të kosovës

Sondazh

Poll