Sport

Al-Khelaifi i është përgjigjur Leo Messit, pas deklaratave të bëra për pritjen te PSG...

Lionel Messi (36) së fundmi foli për eksperiencën në PSG dhe theksoi se ishte i vetmi argjentinas që nuk u nderua siç duhej pas fitimit të titullit botëror.

24 Shtator 2023, 14:00 Nga DOSJA
Al-Khelaifi i është përgjigjur Leo Messit, pas deklaratave

FRANCE - Superylli argjentinas tha se ai ishte i vetmi futbollist fitues i Kupës së Botës që nuk mori vlerësimin që meritonte nga klubi, por tregoi mirëkuptim, duke theksuar se ishte disi normale, pasi Argjentina mundi Francën në finale. Presidenti i klubit parizian i është kundërpërgjigjur Messit. 

Nasser Al-Khelaifi: "Me gjithë respektin, ne jemi një klub francez!" 

Zyrtari më i lartë i Paris Saint-Germain iu përgjigj komenteve të Leo Messit, duke theksuar, se edhe pse ai u respektua në seancën e parë stërvitore pas kthimit nga Argjentina pas fitimit të titullit, por do të kishte qenë e pamundur të festonte siç do të kishte dashur para tifozëve francezë. 

“Jashtë flitet shumë, nuk e di se çfarë ka bërë dhe çfarë ka thënë. Siç e panë të gjithë, unë në fakt postova një klip, duke nderuar Messin në stërvitje dhe e bëra atë edhe privatisht. 

Por me gjithë respektin, ne jemi një klub francez. Natyrisht, ishte diçka jashtëzakonisht e ndjeshme për të festuar në stadium. Ne duhet të respektojmë vendin që ai mundi, shokët e tij në ekipin francez, por edhe mbështetësit tanë. Por ai ishte dhe është një lojtar i jashtëzakonshëm, ne jemi krenarë që e kemi pasur këtu”,- tha Nasser Al-Khelaifi sipas “RMC Sport”. 

Leo Messi ka folur për Paris Saint-Germain 

Argjentinasi u nda me kampionët e Francës në qershor 2023 kur i skadoi kontrata dhe tani luan në SHBA te Inter Miami. Në një intervistë të fundit, Messi është pyetur për kohën e tij në PSG, për të cilën ka folur gjithmonë, por këtë herë ka shprehur keqardhjen që nuk është uruar nga klubi, kur fitoi Kupën e Botës, siç ndodhi me kolegët e tij. 

“Kështu ndodhën gjërat. E vërteta është se gjërat nuk shkuan ashtu siç prisja, por gjithmonë them se gjërat ndodhin për një arsye. 

Është i kuptueshëm reagimi i tifozëve, që do të më shanin. Isha në vendin, ndaj të cilit fituam finalen dhe ishte faji ynë që ata nuk dolën kampionë bote. Ndaj unë isha i vetmi lojtar nga Argjentina që nuk mora mirënjohjen e klubit”,- tha Leo Messi në intervistën për Migue Granados sipas “tycsports.com”. 

Leo Messi nënshkroi me Paris Saint-Germain në gusht 2021 si agjent i lirë. Argjentinasi luajti 75 ndeshje me fanelën e parizienëve, për të cilat shënoi 32 gola dhe 35 asistime. Në dy sezonet e tij në Paris, Messi fitoi tre trofe. 

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll