Politike

'Njerëzit kanë blerë fyellin'/ Korreshi ironizon shkarkimin e Krifcës: Çfarë do bëhet me akademinë e çobenjëve?

Korreshi u shpreh se bujqësia sot është në ditët e saj më të zeza.

14 Shtator 2023, 12:36 Nga A.B
'Njerëzit kanë blerë fyellin'/ Korreshi ironizon
Saimir Korreshi

TIRANË- Shkarkimi i Frida Krifcës nga pozicioni i ministres së Bujqësisë, nuk kaloi pa u komentuar nga deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, me ironi, ai pyeti se çfarë do ndodhë me nismën e akademisë së barinjve. 

'Njerëzit atje kanë blerë edhe fyellin. Dërgojini një mesazh ministres. Unë merak e kam, se njerëzit atje hanë dhe ushqehen me bujqësi'-tha ndër të tjera Korreshi.

PJESË NGA DEKLARATA E TIJ:

Lamë përgjysmë një nismë shumë të rëndësishme, akademinë e çobenjve. A do ta vazhdojmë këtë nismë? Se njerëzit atje kanë blerë edhe fyellin. Dërgojini një mesazh ministres. Unë merak e kam, se njerëzit atje hanë dhe ushqehen me bujqësi. 40% e krahut të punës në Shqipëri mbahet me bujqësi. Bujqësia është në ditën e saj më të zezë, ndërkohë që janë në pikë të hallit. I premtuat 300 mijë lekë për grurin, ndërkohë që sot gjithë fermerët e Myzeqesë do tregojnë se gruri ka mbetur i pashituri.

Meqë ka ardhur hetimi i fondeve të IPARD, na e sillni dhe ne ta shikojmë. A do bëhen vila të tjera me këto fonde? Nga 200 vetë që keni marrë, janë apo nuk janë 2-3 nga Myzeqeja. Kur denoncoja këtu marrjen e tokave me qira të njerëzve të ardhur nga Tirana, na quanit të dehur. A do vazhdojmë të hamë qumësht pluhur, apo do të kompensojmë ndonjë lopë? Për peshkun nuk po të them gjë se jeni nga Vlora dhe e keni merak vetë. Sistemi shëndetësor është një hale. Hajde shikoni ambientin për 200 mijë banorë, në çfarë gjendje alarmante është spitali në Lushnje. Nuk punon grafia, turp i Zotit. Do shkojmë te fotografi tani të bëjmë grafinë”.

saimir korreshi seance plenare 14 shtator 2023

Sondazh

Poll