Sport

“Euro 2024” / Sylvinho zbardh listën e 25 kuqezinjve për sfidat me Çekinë & Poloninë

Trajneri Sylvinho do të dalë në konferencë për mediat ditën e shtunë për të folur në lidhje me zgjedhjet e tij dhe objektivat për dy nga sfidat më të rëndësishme në këto kualifikuese.

1 Shtator 2023, 12:31 Nga DOSJA

TIRANE - Kombëtarja shqiptare është gati të nisë përgatitjet për dy ndeshjet e ardhshme të kualifikueseve të Kampionatit Europian “Gjermani 2024” me trajnerin Sylvio Mendes Campos Junior, që ka shpallur sot edhe me listën me emrat e 25 lojtarëve të ftuar për këto sfida.

Krahasuar me ndeshjet e muajit qershor, këtë herë do të ketë ndryshime në listë, teksa ka emra të rinj, por edhe rikthime të rëndësishme në grupin kuqezi. Dy risitë kryesore janë emrat e sulmuesve Arbnor Muja dhe Mirlind Daku, të cilët ftohen për herë të parë me kuqezinjtë.

Në mesfushë, ka ndërkohë dy rikthime të rëndësishme me Klaus Gjasulën dhe Odise Roshin, që janë ftuar për dy sfidat e shtatorit, ndërkohë që edhe në mbrojtje ka një tjetër emër që vjen pas një mungese, ai i Arlind Ajetit. Do të mungojë këtë herë mesfushori Armir Abrashi, teksa sa i përket pjesës tjetër të listës nuk ka ndryshime dhe konfirmohet grupi i lojtarëve, që ishte i impenjuar edhe në ndeshjet me Moldavinë dhe Ishujt Faroe në qershor.

“Euro 2024” / Sylvinho zbardh listën e 25 kuqezinjve për

Kombëtarja do të nisë zyrtarisht përgatitjet ditën e hënë, datë 4 shtator, me kuqezinjtë që do të grumbullohen në Tiranë dhe stërvitjet do të zhvillohen në “Shtëpinë e Futbollit”. Sakaq, në prag të grumbullimit trajneri Sylvinho do të dalë në konferencë për mediat ditën e shtunë për të folur në lidhje me zgjedhjet e tij dhe objektivat për dy nga sfidat më të rëndësishme në këto kualifikuese.

Shqipëria do të luajë në transfertë ndaj Republikës Çeke më 7 shtator dhe tre ditë më pas, më 10 shtator, do të presë Poloninë në stadiumin “Air Albania”.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll