Politike

I mori vulën Gazment Bardhit, ia dha "të besuarit të tij", Basha flet për situatën në PD: Do ndërtojmë së bashku alternativën!

Edhe pse jo drejtpërdrejt, sërish ka folur për selinë blu, kur vetëm pak orë më parë u zbulua vendimi për të marrë vulën e Gazment Bardhit si Sekretar i Përgjithshëm, e për t'ja kaluar Indrit Sefës.

24 Korrik 2023, 19:24 Nga k.m.
I mori vulën Gazment Bardhit, ia dha "të besuarit të
Lulzim Basha

TIRANË- Ish-kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha vazhdon takimet e tij me qytetarët, ku sot është ndalur në Gjirokastër. Edhe pse jo drejtpërdrejt, sërish ka folur për selinë blu, kur vetëm pak orë më parë u zbulua vendimi për të marrë vulën e Gazment Bardhit si Sekretar i Përgjithshëm, e për t'ja kaluar Indrit Sefës.

Gjatë takimit të tij, Basha tha: Partia Demokratike do modernizohet, do ripërtërijë radhët e saj e do hapet ndaj të gjithë atyre që kanë të njëjtat vlera me ne, për të ndërtuar së bashku alternativën që duan dhe presin shqiptarët.

REAGIMI I PLOTË:

Ne duhet të bëjmë gjithçka që t’u japim forcë dhe pushtet qytetarëve që ata të vendosin për të ardhmen e tyre, duke u kthyer atyre besimin te vota dhe politika! Për kthimin e besimit tek politika është e rëndësishme ndarja e politikanëve të korruptuar dhe inkriminuar nga politikanët e pastër dhe kjo mundësohet përmes vetting-ut. Nuk ka rrugë tjetër për Shqipërinë dhe shqiptarët përveç asaj që dikton pastrimi i politikës nga të gjithë ata që kanë shpërdoruar besimin e qytetarëve, duke i shërbyer interesave korruptive dhe klienteliste. Mjafton dosja e Inceneratorëve për të kuptuar se si kjo qeveri vepron si një organizatë e strukturuar kriminale. Në kulmi e emigrimit qeveria shqetësohet për t’u shërbyer bandave kriminale duke legalizuar kanabisin, apo duke u vrarë shpresat studentëve me ligje anti-kushtetuese.

Prandaj bëhet gjithnjë e më e domosdoshme rritja e mekanizmave të kontrollit dhe llogaridhënies së qeverisë, pavarësisht kush e drejton atë. Për këtë arsye: Duhet të ndryshojmë formulimin e Mocionit të besimit dhe atë të mosbesimit; Numri i ministrive dhe rritja e Borxhit Publik të bëhen me ligj nga Parlamenti; Heqjen e kontrollit politik ndaj punonjësve të administratës, duke u dhënë atyre siguri në punë; Zgjedhjen e drejpërdrejt të Presidentit nga populli, si mbartës dhe balancues i pushteve. Aleanca Qytetare për Demokracinë do të jetë koalicioni ynë për të çliruar ekonominë dhe për të çuar përpara ndryshimet kushtetuese që do të zhbëjnë ato të 2008-ës, duke mundësuar: Listat e hapura; Vetting-un e politikanëve; Votën e diasporës; Kufizimin e mandateteve. Partia Demokratike do modernizohet, do ripërtërijë rradhët e saj e do hapet ndaj të gjithë atyre që kanë të njëjtat vlera me ne, për të ndërtuar së bashku alternativën që duan dhe presin shqiptarët.

Teksa vazhdon takimet e tij nëpër Shqipëri, Lulzim Basha duket se ka vendosur që të heqë nga rruga e tij çdo pengesë për rizgjedhjen në krye të Partisë Demokratike. Ndaj, kur Gazment Bardhi paralajmëroi një mbledhje të Këshillit Kombëtar të PD-së, Basha vendosi që t'i heqë Bardhin nga posti i sekretarit të Përgjithshëm, duke vendosur në vendin e tij, Indrit Sefën. Madje dhe dokumenti i firmosur dhe i vulosur u publikua kudo në media. Me propozim të 1/5 së anëtarëve, Kryesia ka vendosur që të ngarkohet sekretari për çështjet Ligjore dhe Zgjedhore, Indrit Sefa për prodhimin dhe administrimin e vulës së partisë. Lulzim Basha pritet të rizgjidhet kryetar i PD në 29 Korrik, sipas një procesi që ka ngritur shumë pikëpyetje dhe është kundërshtuar nga një pjesë e mirë e kryesisë dhe deputetëve të PD-së së vulës.

lulzim basha zgjedhjet e reja ne pd

Sondazh

Poll