Politike

Kuvendi 'zien' për Ahmetajn, Rama ndjek debatet në Kosovë: Turp ajo që i bënë Albinit

Ky reagim i Ramës vjen kur opozita në Shqipëri po e kërkon në seancë për të diskutuar mbi çështjen e Arben Ahmetajt.

13 Korrik 2023, 12:17 Nga A.B

Kuvendi 'zien' për Ahmetajn, Rama ndjek debatet në
Albin Kurti dhe Edi Rama

TIRANË- Në kohën kur Kuvendi i Shqipërisë është ndezur nga debatet për kërkesën e arrestimit të zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, kryeministri Edi Rama ka qenë duke ndjekur debatet në Kosovë.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas dhunës që ndodhi në Kuvendin e Kosovës, aty ku u lag me ujë kryeministri Albin Kurti, teksa po fliste. Në 'Twitter', Rama thotë se shprehja në këtë formë e kundërshtimit të Qeverisë Kurti nuk është asgjë më shumë se veçse një njollë. 

Më tej, ai shton se një sjellje e tillë është një turp për Kosovën, madje shtoi se opozita duhet të distancohet nga kjo sjellje që nuk do t'i shërbejë për mirë Kosovës. 

REAGIMI:

Të mos jesh dakord me kryeministrin është demokratike, ta shprehësh kështu kundërshtinë është të njollosësh veten, zgjedhësit e tu dhe krejt shtetin me një turp që sot i bën dëm Kosovës edhe ndërkombëtarisht, më shumë se sa çfarëdo qëndrimi politik që po ia kundërshton kryeministrit! Imagjinojini si ndjehen aleatët dhe miqtë e pazëvendësueshëm të Kosovës e të shqiptarëve, kur shohin se si kapen për fyti shqiptarët, aty ku duhet të luftohet me ide e me fjalë, jo me sharje e me grushta! Uroj shumë që opozita të distancohet nga kjo sjellje e turpshme dhe t’i shërbejë Kosovës me forcën e shembullit, jo me shembullin e forcës!

Pas pak orësh, Rama reagoi sërish duke shkruar se pavarësisht reagimeve, i mbetet mendimi se ngjarja e sotme ishte e turpshme, por nuk ka komentuar në asnjë moment zhvillimet në Kuvendin e Shqipërisë dhe kërkesën për prangosje nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për ish-numrin 2 të qeverisë së tij, Arben Ahmetajn.  

"Më “mbytën” miq nga Kosova pse e paskam mbrojt Albinin, se shishen e parë e paska gjujt Bislimi dhe paska qenë VV që e paska hap kapitullin e dhunës në Kuvendin e Kosovës kur ishte në opozitë! Nuk më duhet kush e ka gjujt shishen e parë, mbase keni të drejtë ju, mbase jo, por nëse demokracia parlamentare katandiset në kush gjujti i pari atëherë kemi një problem edhe me kuptimin e demokracisë, edhe me kuptimin e këtij momenti kyç për Kosovën, e cila nuk ia ka borxh askujt besoj shfaqjen skandaloze të ditës së sotme. Dhe si dikush që e di mirë se sa poshtë ka rënë Kosova në sytë e krejt botës demokratike për shkak të qasjes së gabuar të qeverisë së saj, unë vazhdoj mendoj se çka ndodhi sot është e turpshme dhe jam i bindur se justifikimi i asaj shëmtie nuk e ndihmon, po e dëmton ende më shumë reputacionin e Kosovës, prandaj thashë dhe e them prapë se uroj që opozita të distancohet nga një shëmti e tillë!,"-shkruan Edi Rama. 

Çfarë ndodhi në Kuvendin e Kosovës?

Përplasje dhe tension në Kuvendin e Kosovës. Seanca nisi me reagimet e deputetëve të opozitës për publikimin e audi-përgjimeve të deputetes Mimoza-Kusari Lila dhe nënkryetarit të Listës Serbe Sllavko Simiç të cilët flasin për politikanin famëkeq serb Radoiçiç i shpallur non-grata nga amerika. Në foltore dhe karrigen e Kurtit, disa deputetë të opozitës kanë vendosur pankartat 'Zdravo' duke iu rreferuar skandalit të përgjimeve. Pasi kryeministri Albin Kurti mori fjalën në Kuvend duke folur për marrëveshjen me BE-në për të ulur tensionet, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku ka hedhur drejt tij ujë më shishe. Në këtë moment kanë ndërhyrë ministrat e kabinetit qeveritar, më pas situata ka dalë jashtë kontrollit.

albin kurti edi rama dhune ne kuvendin e kosoves

Sondazh

Poll