Bota

Shkencëtarët krijojnë embrione njerëzore sintetike me qeliza staminale, nuk nevojiten vezë dhe spermë

Shkencëtarët kanë krijuar embrione njerëzore sintetike, duke përdorur qeliza staminale, një arritje revolucionare që “anashkalon nevojën për vezë apo spermë”

15 Qershor 2023, 11:31 Nga DOSJA
Shkencëtarët krijojnë embrione njerëzore sintetike me qeliza
foto ilustruese

SHBA- Shkencëtarët kanë krijuar embrione njerëzore sintetike, duke përdorur qeliza staminale, një arritje revolucionare që “anashkalon nevojën për vezë apo spermë”, shkruan sot "The Guardian". Shkencëtarët pohojnë se këto embrione model, të cilat ngjajnë me ato në fazat e hershme të zhvillimit njerëzor, mund të japin informacion vendimtar për efektet e çrregullimeve gjenetike, dhe shkaqet biologjike të abortit të përsëritur. Megjithatë, kjo është një arritje shkencore që ngre çështje serioze etike dhe ligjore. Embrionet sintetike nuk kanë një zemër ose ndonjë formë të hershme të trurit, por përfshijnë qeliza që në një fazë të mëvonshme zakonisht do të formonin placentën, qesen e verdhë veze dhe vetë embrionin.

"Ne mund të krijojmë shabllone që duken si embrion njerëzor, duke riprogramuar qelizat burimore embrionale", shpjegoi profesoresha Magdalena Żernicka-Goetz e Universitetit të Kembrixhit dhe Institutit të Teknologjisë në Kaliforni, gjatë prezantimit të studimit në takimin vjetor të Shoqërisë Ndërkombëtare në Boston.

Nuk ka asnjë perspektivë të përdorimit klinik të embrioneve sintetike në të ardhmen e afërt: do të ishte e paligjshme implantimi i tyre në mitrën e një pacienti dhe nuk është ende e qartë nëse këto "struktura" kanë madje potencialin për të vazhduar maturimin përtej fazave të hershme të zhvillimit.

Qëllimi i studiuesve është të kuptojnë periudhën e zhvillimit të embrioneve të quajtur " kutia e zezë ", raporton "Protothema".Ky emër është për faktin se, duke qenë se shkencëtarët lejohen të rrisin embrionin në laborator deri në kufirin ligjor prej 14 ditësh, studimi i zhvillimit mund të vazhdojë vetëm në një fazë shumë më të vonë, përmes ultratingujve dhe dhurimeve të embrioneve për shkencën.

Sondazh

Poll