Bota

Lulëzon industria e armëve, eksportet izraelite arritën një nivel rekord në vitin 2022

Sipas një burimi të qeverisë gjermane, Berlini po kërkon të shpenzojë katër miliardë euro për të blerë sistemin e mbrojtjes raketore të Izraelit "Arrow 3"

14 Qershor 2023, 16:11 Nga DOSJA
Lulëzon industria e armëve, eksportet izraelite arritën një
foto ilustruese

IZRAEL- Eksportet izraelite të armëve arritën një nivel rekord në vitin 2022, ndërsa gati një e katërta e eksporteve ishin në vendet arabe me të cilat Izraeli së fundi normalizoi marrëdhëniet. Ky detaj u përcoll nga Ministria e Mbrojtjes e Izraelit.

Ministria, e cila mbikqyr dhe miraton eksportet e mbrojtjes, tha se eksportet në "vendet e Paktit të Abrahamit" arritën në 2.96 miliardë dollarë vitin e kaluar, ose 24 për qind të totalit të eksporteve. Në vitin 2021, eksportet në këto vende ishin 853 milionë dollarë ose 9% e totalit.

Që nga viti 2020, Izraeli ka normalizuar marrëdhëniet me Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreinin, Marokun dhe Sudanin sipas Marrëveshjeve të Abrahamit. Këto marrëveshje shkaktuan një përçarje në qëndrimin e përbashkët arab, se asnjë marrëveshje me Izraelin nuk është e mundur pa zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez. Marrëveshjet janë denoncuar si "tradhti" nga palestinezët.

“Paqëndrueshmëria globale po rrit kërkesën për sistemet izraelite të mbrojtjes ajrore, dronët dhe raketat, dhe ne po punojmë vazhdimisht për të ruajtur dhe forcuar aftësitë tona”, theksoi drejtori i përgjithshëm i Ministrisë izraelite, Eyal Zamir.

Sipas Ministrisë, këto eksporte janë dyfishuar gjatë nëntë viteve të fundit, duke arritur një rekord prej 12.5 miliardë dollarësh (11.5 miliardë euro) në vitin 2022. Vitin e kaluar, dronët përbënin një të katërtën e eksporteve dhe "raketat, sistemet e mbrojtjes kundërajrore" 19%.

Sipas një burimi të qeverisë gjermane, Berlini po kërkon të shpenzojë katër miliardë euro për të blerë sistemin e mbrojtjes raketore të Izraelit "Arrow 3", raporton "Protothema". Sipas të njëjtit burim, komisioni buxhetor i Bundestagut do të lëshonte sot paketën e parë prej 560 milionë eurosh, për një marrëveshje para traktatit me Izraelin.

Sondazh

Poll