Bota

Plagosja e ushtarëve të KFOR, Policia e Kosovës arreston një nga organizatorët e sulmeve në Veri

Sveçla njoftoi se gjatë arrestimit të tij, janë sulmuar zyrtarët e Policisë së Kosovës të cilët kanë pësuar lëndime të lehta. 

13 Qershor 2023, 13:17 Nga a.l
Plagosja e ushtarëve të KFOR, Policia e Kosovës arreston një
Kosovë

KOSOVË- Policia e Kosovës ka arrestuar Milun Milenkoviç, i njohur si Llune i cili dyshohet se është një nga organizatorët kryesorë të sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it gjatë protestave të dhunshme më datë 26 dhe 29 maj në veri të vendit.  Lajmin e ka konfirmuar ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla. 

“Policia e Kosovës sot ka arrestuar Milun Milenkovic- Llune, një nga udhëheqësit e formacionit kriminal ‘Mbrojtja Civile’ dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës. I njëjti ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan”, bëri të ditur ministri.

Sveçla njoftoi se gjatë arrestimit të tij, janë sulmuar zyrtarët e Policisë së Kosovës të cilët kanë pësuar lëndime të lehta. 

“Siç edhe e kam theksuar në vazhdimësi, koha e bandave kriminale në veriun e vendit tonë ka përfunduar. Të gjithë individët apo grupet kriminale që kanë cenuar sigurinë dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, do të përballen me drejtësinë. Republika nuk do të zmbrapset”, shkruan ai. 

Tensionet në veri të Kosovës

Situata në veri të vendit është tensionuar nga 26 maji, kur Policia e Kosovës asistoi kryetarët e tri komunave veriore, Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok, që të futen në zyret e tyre, përkundër rezistencës së serbëve lokalë. Situata u përshkallëzua më 29 maj, kur serbët lokalë u përplasën me ushtarët e KFOR-it të cilët ruanin objektet komunale. Atë ditë mbetën të lënduar 30 ushtarë të KFOR-it, 11 të kontingjentit italian dhe 19 të tjerë të kontingjentit hungarez. Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme për uljen e tensioneve tensioneve dhe, së fundi, disa kanë kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri.

tensionet në veri të kosovës xhelal svecla

Sondazh

Poll