Bota

Dyshohej se përmbanin hormone, Kosova pranon domatet nga Shqipëria: Janë brenda parametrave, s’kanë rrezik

Të gjitha mostrat kanë rezultuar brenda limiteve, sipas rregullores së Bashkimit Evropian

8 Qershor 2023, 17:21 Nga m.s
Dyshohej se përmbanin hormone, Kosova pranon domatet nga Shqipëria:
domate

KOSOVË- Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka konfirmuar se domatet e importuara nga Shqipëria, kanë rezultuar brenda parametrave të lejuara për konsum. Kishte dyshime se domatet përmbanin sasi të larta të hormoneve, të cilat janë të rrezikshme për shëndetin e njeriut. Të gjitha mostrat kanë rezultuar brenda limiteve, sipas rregullores së Bashkimit Evropian. Këtë detaj e bën me dije zëdhënësi i këtij institucioni, Lamir Thaçi. Mostrat e domateve me origjinë nga Shqipëria, janë dërguar në një laborator të kontraktuar, i cili testet i ka realizuar në laborator të akredituar në Bullgari.

“Do të thotë, prezenca e kontaminuesve kimik është brenda normave ose limiteve, të cilat janë të lejuara për konsum dhe nuk paraqesin rrezik”, ka thënë Thaçi për "Telegrafin", duke shtuar se mostrat janë testuar në të gjitha llojet e pesticideve.

Pas publikimit të informacioneve për dyshime të mbetjeve të pesticideve në domate, AUV përveç mostrave të testuar në laboratorët vendorë, ka dërguar mostra edhe jashtë vendit. “Ato heqin dyshimet për prezencë të pesticideve mbi normat e lejuara. Për këto dyshime asnjëherë nuk ka pasur komunikime zyrtare nga mekanizmi i BE-së RASFF”, ka theksuar Thaçi.

Në fund, ai ka shtuar se kontrollet e rregullta do të vazhdojnë mbi të gjitha ngarkesat, sipas planit. “Kemi bashkëpunim të ngushtë me Autoritetin Shqiptar të Ushqimit. Në kohë reale shkëmbejmë informata për të gjitha produktet ushqimore që tregtohen mes dy vendeve. Konsumatorët duhet të ndihen të sigurtë për produktet qe kontrollohen nga AUV. Gjithmonë ndërmarrim të gjitha veprimet për të hequr secilin dyshim që paraqitet”, ka përfunduar zëdhënësi i AUV-it.

domatet hormone shqiperi kosove

Sondazh

Poll