Bota

Takimi me zyrtarin e BE-së/ Osmani: Bandat kriminale të mbështetura nga Vuçiçi kanë qëllim destabilizimin e Kosovës

Presidentja Osmani dhe Zëvendës Sekretari Fries diskutuan edhe për zhvillimet e fundit në veri të Republikës së Kosovës. Osmani ka dënuar sulmet e serbve ndaj policisë së Kosovës, KFOR-it dhe gazetarëve. 

30 Maj 2023, 11:10 Nga a.l
Takimi me zyrtarin e BE-së/ Osmani: Bandat kriminale të
Vjosa Osmani

KOSOVË-  Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Zëvendës Sekretarin e Përgjithshëm për Paqe, Siguri dhe Mbrojtje në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS), Charles Fries, i shoqëruar nga Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog dhe shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar ëigemark. Në takim u diskutua për progresin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian.  Presidentja Osmani ka ritheksuar përkushtimin e Republikës së Kosovës për integrimin euroatlantik.

“Ne veçanti, Presidentja ka informuar Fries për progresin e bërë në fushën e sundimit të ligjit, që përfshinë edhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe për reformat demokratike dhe për përafrimin e plotë të politikës së jashtme dhe të sigurisë me atë të BE-së. Tutje, Zëvendës Sekretari Fries vlerësoi lart bashkërendimin e Kosovës për dënimin publik dhe sanksionet kundër Rusisë si dhe përkrahjen e vazhdueshme ndaj Ukrainës”, thuhet në njoftim.

Presidentja Osmani dhe Zëvendës Sekretari Fries diskutuan edhe për zhvillimet e fundit në veri të Republikës së Kosovës. Osmani ka dënuar sulmet e serbve ndaj policisë së Kosovës, KFOR-it dhe gazetarëve. 

“Presidentja ka përsëritur dënimin e fuqishëm për sulmet e strukturave ilegale serbe të shndërruara në banda kriminale kundër policisë së Kosovës, KFOR-it dhe gazetarëve. Presidentja Osmani ka potencuar se këto banda kriminale, të mbështetura nga Vuçiqi, kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe të gjithë rajonit, prandaj veprimet e tyre të rrezikshme duhet të dënohen nga të gjithë”, bën të ditur presidenca.

Presidentja Osmani gjithashtu shprehu nevojën e koordinimit me partnerët ndërkombëtarë, si hap i domosdoshëm në mënyrë që të sigurohet paqe dhe stabilitet afatgjatë në vend e rajon, ndërsa ka përmendur rëndësinë e sundimit të ligjit dhe përballjen me drejtësinë për bandat kriminale dhe veprimet e tyre të kundërligjshme. 

tensione në veri të kosovës

Sondazh

Poll