Politike

Tensionet në veri të Kosovës, Rama: Të mos ecim në këtë shteg të rrezikshëm, palët të ulen në dialog

Kreu i qeverisë shqiptare i bashkohet shqetësimit të partnerëve ndërkombëtarë pas situatës së krijuar në Mitrovicë të Veriut, duke kërkuar dialog nga palët.

26 Maj 2023, 18:30 Nga k.m.
Tensionet në veri të Kosovës, Rama: Të mos ecim në
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas tensioneve në veri të Kosovës. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama bën me dije se i bashkohet shqetësimit të partnerëve ndërkombëtarë pas situatës së krijuar në Mitrovicë të Veriut, duke kërkuar dialog nga palët. Në reagimet e tij, kreu i qeverisë shqiptare i ka kërkuar si Serbisë, ashtu edhe Kosovës që të ulen tensionet dhe të vijojnë rrugën e dialogut.

"A e ndihmon kjo që po ndodh në Kosovë procesin ku janë angazhuar të tërë miqtë e mëdhenj të Kosovës e të shqiptarëve, për normalizim dhe njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë?! Me siguri jo përderisa vetë miqtë tanë më të mëdhenj shprehen thellësisht të shqetësuar! Unë bashkohem me ta në apelin për të mos ecur më tej në këtë shteg jo vetëm të rrezikshëm, po edhe krejt të panevojshëm sot, kur bota demokratike e ka vendosur në qendër të vëmendjes dialogun, normalizimin, njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë,"-shkruan Edi Rama.

Çfarë po ndodh në Veri të Kosovës?

Mesditën e sotme në të 4 komunat me shumicë serbë në veri të Kosovës, u dëgjuan sirena alarmi, ku para objekteve komunale në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviç u mblodhën edhe qytetarë. Situata është agravuar ndërsa janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri, është hedhur gaz lotsjellës nga policia për të shpërndarë protestuesit të cilët kanë djegur edhe makina. Kjo protestë po bëhet në shenjë revolte nga protestuesit serb kundrejt kryetarëve të rinj shqiptarë të zgjedhur në katër komunat me shumicë serbe. 

edi rama

Sondazh

Poll