Politike

Rama, takim falenderimi në Kukës: Task-Forcë për të ndihmuar Bashkitë me pronat

Nga takimi njoftoi se shumë shpejt do të ngrihet një Task-Forcë e Kryeministrisë, për të ndihmuar kryesisht Bashkitë në veri të vendit me regjistrimin sa më shpejt të tokave.

24 Maj 2023, 18:40 Nga m.s
Rama, takim falenderimi në Kukës: Task-Forcë për të
Rama ne Kukes

KUKËS- Kryeministri Edi Rama ka vijuar turin e tij të falenderimeve në Bashkinë e Kukësit. Nga takimi njoftoi se shumë shpejt do të ngrihet një Task-Forcë e Kryeministrisë, për të ndihmuar kryesisht Bashkitë në veri të vendit me regjistrimin sa më shpejt të tokave. Sipas Ramës, ligji 2020 i qeverisë së tij i jep mundësinë qytetarëve të bëhen pronarë të tokës së tyre me letra, në bazë të dakordësisë që kanë me njëri-tjetrin. Rama sqaroi se brenda dy javësh, në qeveri do kalojnë një vendim për të kaluar një Task-Forcë për të ndihmuar Bashkitë e Kukësit, të Tropojës, Malësisë së Madhe, të Shkodrës, për një pjesë të territorit që ka dhe Bashki të tjera që kanë këto probleme, për te ecur më shpejt me regjistrimin e këtyre tokave. Kjo sipas kreut të qeverisë, do të ndikojë edhe në turizëm.

“Po flisnim qëparë për një çështje shumë të nxehtë që është e pranishme kryesisht në zonat e veriut. Ka të bëjë me tokën në fshat ku njerëzit nuk kanë problem me njëri-tjetrin, dhe ku ligji 7501 i ka penguar që të bëhen pronarë sepse ligji 7501 i fuste në sherr. Ndërkohë që ata nuk kanë sherr. U bë gjithë ajo punë thonin të gjithë nuk bëhej, unë e di se sa mbledhje dhe sa jurista janë përzierë me këtë punë, derisa bëmë ligjin 2020 që e krijon këtë mundësi që njerëzit të bëhen pronarë të tokës së tyre me letra në bazë të dakordësisë që kanë me njëri-tjetrin, dhe ka plot zona ku nuk kanë sherr ata me njëri-tjetrin. Tropoja një pjesë e madhe e gjithë territorit rural është kështu. Kukësi po ashtu. Ata nuk kanë sherr me njëri-tjetrin. Thjesht duhet që ne të rrisim kapacitetet. Sot kemi marrë një hap të parë dhe besoj që brenda maksimumi dy javësh në qeveri do kalojmë një vendim për të kaluar një Task-Forcë e cila do merret vetëm me këtë punë. Do jetë një Task-Forcë e Kryeministrisë për të ndihmuar Bashkitë e Kukësit, të Tropojës, Malësisë së Madhe, të Shkodrës, për një pjesë të territorit që ka dhe Bashki të tjera që kanë këto probleme në mënyrë që të ecim shumë më shpejt me regjistrimin e këtyre tokave. Kjo do të thotë që ata njerëz që i kanë tokat, që i punojnë tokat, por që në mungesë të titujve të pronësisë nuk marrin dot një subvencion, nuk marrin dot një grant, nuk marrin dot një kredi, nuk bëjnë asnjë transaksion, as nuk e shesin dot”, u shpreh Rama.

“Kjo do të bëjë të mundur që investime të tjera nga emigracioni të vijnë këtu. Unë e kam pasur bindje absolute, pavarësisht se kur e thosha në fillim e dinë këta shokët në Tropojë, më shihnin edhe thonin ore çfarë flet ky, që Tropoja do të bëhej destinacion turistik. E kam bindje që Kukësi do të bëhet destinacion turistik, dhe nuk flas që të vijnë turistë. Flas për destinacion turistik masiv. Që turizmi të jetë e ardhura numër një e ekonomisë së Bashkisë dhe të kontribuojë në ekonominë kombëtare”, u shpreh ai. 

edi rama kukes

Sondazh

Poll