Politike

Rritja e pagave, Ibrahimaj: Vendim i deputetëve! S'ndikohet buxheti nga rritja e rrogës, ekonomia po ecën mirë dhe e përballon

Sipas ministres, reforma e pagave po bëhet për të gjithë administratën sepse ekonomia e vendit po ecën më ritme të mira dhe se rritja e pagave të deputetëve nuk sjell vështirësi për buxhetin.

24 Maj 2023, 17:50 Nga k.m.
Rritja e pagave, Ibrahimaj: Vendim i deputetëve! S'ndikohet buxheti
Delina Ibrahimaj

TIRANË- Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj ka folur për rritjen e pagave të deputetëve dhe politikanëve. E pyetur nga Klan News nëse ishte dakord me koeficentët e pagave të miratuara për deputetët dhe kabinetin qeveritar në Komisionin e Ekonomisë, ministrja Ibrahimaj tha se janë ligjvënësit ata që vendosin.

Sipas ministres, reforma e pagave po bëhet për të gjithë administratën sepse ekonomia e vendit po ecën më ritme të mira dhe se rritja e pagave të deputetëve nuk sjell vështirësi për buxhetin.

“Janë deputetët, janë ligjvënësit. Pra nuk kam asnjë koment. Nuk vihet në vështirësi buxheti i shtetit pasi numri i përfituesve, deputetët, kabineti qeveritar është një numër shumë i vogël. Këtu bëhet fjalë për reformimin e sistemit të pagave të gjithë administratës publike dhe buxheti i shtetit ka aftësitë dhe kapacitetin për ta përballuar atë,”-tha ajo.

Sipas ndryshimeve që u miratuan në Komisionin e Ekonomisë, e që pritet të kalohet nesër në Kuvendin e Shqipërisë, pagat e deputetëve dhe ato të ministrave do të llogariten me koeficientin 0.73 në një hierarki që nis me pagën e Presidentit të Republikës. Me koeficientin e ri, pagat e deputeteve dhe ministrave gati dyfishohen pra shkojnë në 310 -319 mijë Lekë nga 175 mijë që janë aktualisht. Paga mujore e presidentit bëhet 425 mijë, ndërsa ajo e kryeministrit dhe kryetarit të parlamentit arrin në 392 mijë Lekë në muaj. Po ashtu, nesër edhe projektligji për reformën e pagave për më shumë se 130 mijë punonjësve të administratës publike.

delina ibrahimaj rritja e pagave

Sondazh

Poll