Politike

Deputetët do të marrin rrogë 3 milionë lekë, Petro Koçi: Është në dinjitetin e vendit! Nuk kemi makina dhe as shofer, po rrezikojmë jetën

Madje shtoi se kanë edhe vështirësi pune me "profesionin" që kanë, i cili sipas Koçit, u rrezikon edhe jetën. 

24 Maj 2023, 17:47 Nga k.m.
Deputetët do të marrin rrogë 3 milionë lekë, Petro
Petro Koçi

TIRANË- Deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi ka folur për rritjen e pagave, të cilat do të miratohen këtë të enjte në Kuvend. Në intervistën që ai ka dhënë për "Ditari", tha se rritja e pagës është një gjë e mirë, pasi dikur deputeti kishte makinë dhe shofer në dispozicion nga shteti, kurse sot nuk ka. Madje shtoi se kanë edhe vështirësi pune me "profesionin" që kanë, i cili sipas Koçit, u rrezikon edhe jetën. 

“Kemi të bëjmë me një rritje pagash në përgjithësi, në të gjithë sistemin buxhetor. Por, mendoj që një status deputeti prej langaraqi do ta bënte edhe vetë Parlamentin langaraq. Këto diferenca hapin debat dhe diskutim, por është në dinjitetin e një vendi që Parlamenti të ketë një trajtim normal. Aktualisht, nuk e ka këtë lloj dinjiteti. Sot deputeti është vetë sekretar, vetë shofer… Dikur ka patur makinë dhe shofer në dispozicion nga shteti, nuk kishte nevojë të rrezikonte jetë një person i cili shpenzon orë të tëra në debate dhe takime, e pastaj të kthehet në shtëpi në orët e vona. Megjithatë, unë nuk besoj se deputetët janë ligësia e këtij vendi. Nëse marrim sot nivelin e jetesës dhe pagat, deputeti, edhe me ndryshimet që do të hyjnë në fuqi, nuk është nga më të paguarit. Nëse marrim pasanikët e këtij vendi, deputetët janë fundi i kavallit. Ka edhe nga ata që janë biznesmenë, por po flas për ata që janë vetëm deputetë, që nuk kanë biznese. Nuk është se kjo na çon në një pozicion kaq shumë të lakmueshëm”, shtoi Petro Koçi.

Sipas ndryshimeve që u miratuan në Komisionin e Ekonomisë, e që pritet të kalohet nesër në Kuvendin e Shqipërisë, pagat e deputetëve dhe ato të ministrave do të llogariten me koeficientin 0.73 në një hierarki që nis me pagën e Presidentit të Republikës. Me koeficientin e ri, pagat e deputeteve dhe ministrave gati dyfishohen pra shkojnë në 310 -319 mijë Lekë nga 175 mijë që janë aktualisht. Paga mujore e presidentit bëhet 425 mijë, ndërsa ajo e kryeministrit dhe kryetarit të parlamentit arrin në 392 mijë Lekë në muaj. Po ashtu, nesër edhe projektligji për reformën e pagave për më shumë se 130 mijë punonjësve të administratës publike.

petro koci

Sondazh

Poll