Sport

Valencia është "e indinjuar" për mbylljen e tribunave të saj, do ta apelojë dënimin!

Klubi u ndëshkua pas ofendimeve raciste ndaj Vinícius Júnior në ndeshjen e së dielës me Real Madridin.

24 Maj 2023, 11:16 Nga DOSJA
Valencia është "e indinjuar" për mbylljen e tribunave

SPANJE - Valencia lëshoi ​​një deklaratë, duke shprehur “indinjatën e saj totale për sanksionin e padrejtë dhe joproporcional", të vendosur nga Komiteti i Garave të Federatës Spanjolle të Futbollit, i cili urdhëroi mbylljen e pjesshme të tribunave në stadiumin Mestalla për pesë ndeshje, pas fyerjeve te braziliani Vinicius Júnior gjatë ndeshjes së fundit me Real Madridin.

Klubi sqaron se në këtë vendim, Komisioni "tregon prova, që bien ndesh me atë që thotë policia dhe LaLiga", duke shtuar se nuk ka pasur akses në to.

"Valencia ka dënuar, dënon dhe do të dënojë në mënyrën më energjike çdo akt racizmi apo dhune. Këto sjellje nuk kanë vend në futboll, apo në shoqëri dhe ne do të vazhdojmë të punojmë me vendosmëri për të çrrënjosur këtë fatkeqësi.

Kjo është arsyeja pse Valencia po bashkëpunon me policinë dhe me të gjitha organet përkatëse për zbardhjen e ngjarjeve të së dielës së kaluar. Përveç kësaj kemi aplikuar sanksionin më të keq të mundshëm, me përjashtimin e përjetshëm nga stadiumi ynë i tifozëve, që policia i identifikoi për sjelljet e tyre raciste”, sqaron e njëjta deklaratë.

Dhe vazhdon: “Prandaj konsiderojmë se penalizimi dhe privimi i të gjithë mbështetësve që nuk u përfshinë në këto incidente të dhimbshme është një masë totalisht joproporcionale, e padrejtë dhe e paprecedentë, kundër së cilës do të luftojmë”,- shpjegon Valencia, duke garantuar se synon të “ankimojë deri në masën e fundit” kundër mbylljes së tribunës.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll