Bota

Hagë/ Gjykimi ndaj Pjetër Shalës, përfundon dëgjimi i dëshmitarit të pestë

Në dëshminë e tij të djeshme, dëshmitari i pestë ka thënë se ishte ushtar i thjeshtë dhe kishte bërë roje në shtabin e logjistikës në Kukës. Prokuroria i ka shfaqur skicën, ku kishte përmendur edhe “ndërtesën 1”, që sipas tij, mbaheshin e merreshin në pyetje personat e dyshuar që kishin lidhje me Serbinë. Seanca në Hagë po vazhdon me dëgjimin e dëshmitarit të gjashtë të ZPS-së.

2 Maj 2023, 13:52 Nga f.i
Hagë/ Gjykimi ndaj Pjetër Shalës, përfundon dëgjimi i
Pjetër Shala

HAGË- Ka përfunduar dëgjimi i dëshmitarit të pestë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në gjykimin kundër Pjetër Shalës. Seanca me kundërpyetjet e ekipit mbrojtës të Shalës ka vijuar në pjesë të madhe e mbyllur për publikun, shkruan Kosovapress. Gjatë seancës avokatja e Pjetër Shalës ka pyetur dëshmitarin se kush ishte përgjegjës për magazinën në fabrikën e metaleve në Kukës, që ai ka përmendur dje gjatë dëshmisë së tij.

Trupi gjykues ka kërkuar sqarime nga dëshmitari i mbrojtur në lidhje me ndërtesën me numër 1, në afërsi të shtabit të logjistikës në Kukës. Ai ka thënë se nuk ka parë persona me duar të lidhura, ndërkohë që kryetarja e trupit gjykues ka kujtuar deklaratën e tij të dhënë për prokurorinë. Gjithashtu dëshmitari i mbrojtur është pyetur se si vinin personat të cilët dyshoheshin se ishin bashkëpunëtor të Serbisë.

Në pyetjet e gjykatëses për prejardhjen etnike të këtyre personave që i sillnin në “ndërtesën numër 1”, dëshmitari tha se ishin të të gjitha vendeve të Kosovës. Ndërkaq, kryetarja e trupit gjykues tha se ai kishte thënë se kishte edhe romë, për çka e ka konfirmuar edhe dëshmitari i mbrojtur.

Në dëshminë e tij të djeshme, dëshmitari i pestë ka thënë se ishte ushtar i thjeshtë dhe kishte bërë roje në shtabin e logjistikës në Kukës. Prokuroria i ka shfaqur skicën, ku kishte përmendur edhe “ndërtesën 1”, që sipas tij, mbaheshin e merreshin në pyetje personat e dyshuar që kishin lidhje me Serbinë.

Seanca në Hagë po vazhdon me dëgjimin e dëshmitarit të gjashtë të ZPS-së, i cili mban numrin 11.

kosova ne hage pjeter shala

Sondazh

Poll