Sport

Kryeministri Rama bën ‘shkesin’, Man.City me gjasa pritet të hapë akademi në Durrës

Siç bëhet e ditur nga mediat shqiptare, Durrësi do të bëhet me akademi futbolli moderne të një superklubi anglez. Këtë gjë e konfirmoi edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama., i cili do të luajë rolin e ndërmjetësit

26 Prill 2023, 17:04 Nga DOSJA
Kryeministri Rama bën ‘shkesin’, Man.City me gjasa pritet

TIRANE - Mediat shqiptare raportojnë, se një nga klubet e shquara angleze do të hapë një akademi futbolli në Durrës, duke aluduar se bëhet fjalë për kampionët anglezë të Manchester City. Ato shtojnë se Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka udhëtuar drejt Anglisë për ta finalizuar marrëveshjen me gjigantin anglez.

Ndërkaq, kur Kryeministri Rama u pyet se a është skuadër angleze ajo që do ta ndërtojë akademinë dhe shkollën e futbollit në Durrës, ai refuzoi të përmend emra, por tha se është një nga skuadrat më të mëdha të botës.

“Do ta them në momentin që do ta firmosim, sepse akoma nuk e besoj dot që do ta firmosim këtë marrëveshje. Dhe në qoftë se doni të bëni hamendje, keni deri sot në mbrëmje, mundësinë që të hyni në garë, ta bëni domethënë atë hamendjen tuaj.

Do të bëjmë një short pastaj edhe 11 bluza të lojtarëve të preferuar të asaj skuadre, kush do të fitojë nga shorti, do t’i marrë të firmosura me dedikim, me emër, nga filani apo nga filani, kështu që është një nga skuadrat më të mëdha të botës, kjo nuk diskutohet”, tha Rama.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka udhëtuar sot drejt Anglisë, së bashku me kryetaren e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako dhe ministren e Arsimit, Evis Kushi, gjë që e bën më të besueshëm hamendësimin, se bëhet fjalë për ta përmbyllur marrëveshjen me Manchester Cityn.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll