Bota

Masakra në Çikatovë, Kurti: Është koha të sjellim drejtësi për viktimat e dënim për kriminelët

Kurti theksoi se me datën 30 maj bëhen 4 vjet prej se në Kuvendin e Republikës është amandamentuar Kodi i Procedurës Penale dhe është mundësuar që kriminelët serbë të gjykohen edhe në mungesë për krimet që i kanë kryer gjatë luftës.

17 Prill 2023, 15:45 Nga I.A
Masakra në Çikatovë, Kurti: Është koha të
Albin Kurti

KOSOVË- Në 24-vjetorin e masakrës në fshatin Çikatovë e Vjetër të Komunës së Drenasit, kryeministri Albin Kurti, bashkë me presidenten Vjosa Osmani dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, bëri homazhe dhe vendosi lule të freskëta te memoriali i ngritur në nderim të të vrarëve.

Duke folur për masakrën e 17 prillit të vitit 1999, Kurti tha se në Çikatovë të Vjetër të Drenicës, jo vetëm që u vranë shqiptarët që jetonin në tokën e tyre dhe dëshironin veçse liri dhe paqe, por gjithashtu edhe kufomat e tyre u rrëmbyen dhe u dërguan në Serbi në varreza masive, në pesë varreza masive gjithsej mbi 950 shqiptarë.

Ata që u vranë këtu në Çikatovë të Vjetër u zbuluan si kufoma në Rudnicë të Rashkës. Pra në Rashkë atje ku krerët shtetërorë të Serbisë i mbajnë mbledhjet me përfaqësues politikë të listës serbe, me eksponentë të krimit të organizuar dhe me drejtues të strukturave paralele në Kosovë, kjo ndodhë pra në Rashkë të Serbisë. E në Rudnicë të Rashkës është një varrezë masive prej të cilës janë ekshumuar edhe shqiptarët e vrarë në Çikatovë të Vjetër nga forcat serbe para 24 vjetëve,” tha Kurti.

Kurti theksoi se me datën 30 maj bëhen 4 vjet prej se në Kuvendin e Republikës është amandamentuar Kodi i Procedurës Penale dhe është mundësuar që kriminelët serbë të gjykohen edhe në mungesë për krimet që i kanë kryer gjatë luftës.

Andaj, ne këtu si tre krerë të institucioneve shtetërore që jemi bëjmë thirrje edhe njëherë që Prokuroria e Shtetit, sistemi i drejtësisë në vendin tonë të jetë shumë më aktiv sepse është koha e fundit të sjellin drejtësi për viktimat e dënim për kriminelët. Nuk mund të presim që faktorët ndërkombëtarë do ta bëjnë punën tonë, nëse ne nuk e bëjmë së pari një gjë të tillë vet. Kosova është shtëpia jonë dhe ne e kemi për obligim shtetëror, kombëtar e qytetar, që të sjellim drejtësi për ata që derdhën gjakun për lirinë tonë të cilën e gëzojmë të gjithë ne sot”, tha Kurti.

albin kurti glauk konjufca vjosa osmani

Sondazh

Poll