Sport

Superiorja/ “Elbasan Arena” ndryshon kreun e renditjes. Hila dhe Hasani ‘heronjtë’ e Tiranës në fitoren e vuajtur ndaj Kukësit

Pas fitores 2-1 të Tiranës ndaj Kukësit, bardheblutë e kryeqytetit me 50 pikë udhëheqin renditjen, duke përfituar nga barazimi 1-1 i Partizanit ndaj Egnatias

10 Prill 2023, 20:11 Nga DOSJA

Superiorja/ “Elbasan Arena” ndryshon kreun e renditjes. Hila dhe

ELBASAN - Me ndeshjen e luajtur në ‘Elbasan Arena” midis Tiranës pritëse dhe Kukësit, mbyllet edhe java e 28-të e Superiores, e cila përkon me fillimin e fazës së katërt të kampionatit.

Bardheblutë e Tiranës, edhe pse me mjaft vuajtje, fituan duke kapur kreun e renditjes me 50 pikët e grumbulluara, pas fitores 2-1 ndaj Kukësit, të cilët bënë mjaft përpjekje për të mos u larguar pa pikë nga “Elbasan Arena”.

Tirana shfrytëzoi barazimin 1-1 të Partizanit ndaj Egnatias në Rrogozhinë, për të kapur kreun, ndërkohë që të kuqtë, tani kanë dy pikë më pak nga rivalët e tyre të kryeqytetit.

Gjithsesi, në Elbasan u zhvillua një ndeshje mjaft e luftuar, ku rezultati ishte i hapur për të dyja skuadrat. Bardheblutë kaluan të parët në epërsi me anë të Hilës (42’) që shfrytëzoi një aksion brenda zonës së verilindorëve. Pas pushimit, kuksianët barazuan në 1-1 pas një goditje dënimi me anë të Rashitit (51’), që realizoi me kokë.

Në vazhdim loja u hap më tepër, ku të dy skuadrat kërkonin fitoren, ndërkohë që Bekaj u bë shpëtimtar në disa raste për Tiranën. Megjithatë, në minutën e 89-të Barbosa do të gabonte dhe do ta prekte topin me dorë Brenda zonës dhe gjyqtari Alla do të akordonte penallti për bardheblutë. Rastin, Hasani do ta konvertonte në gol, duke nënshkruar fitoren 2-1 të Tiranës dhe golin e tij të 15-të personal.

Ja dhe episodet e golave:

42’- Gol Tirana, 1-0. Pas zhvillimit të një goditje nga këndi, topi harkohet nga Hasani dhe shkon te Hila i cili gjuan, Tafas nuk kontrollon topin, i cili përfundon në rrjetë.

51’- Gol Kukësi, barazim 1-1. Shënon Rashiti pas zhvillimit të një goditje dënimi, duke mposhtur me kokë Bekajn.

89’- Gol Tirana dhe 2-1! Shënon Hasani nga pika e bardhë e penalltisë, duke firmosur fitoren e bardhebluve, të cilët tani udhëheqin të vetëm tabelën e renditjes me 50 pikë.

B.T (Dosja.al)

 

Sondazh

Poll