Bota

Haradinaj takim me shefin e Zyrës së BE-së: Implementimi i marrëveshjes hap rrugë për integrimin e Kosovës në BE

Haradinaj bën me dije se kanë diskutuar për zhvillimet politike në vend dhe marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi

30 Mars 2023, 14:37 Nga a.l
Haradinaj takim me shefin e Zyrës së BE-së: Implementimi i
Tomas Sznyog dhe Ramush Haradinaj

KOSOVË- Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka zhvilluar sot një takim me shefin e Zyrës së BE-së, Tomas Szunyog. Përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në 'Facebook', Haradinaj bën me dije se kanë diskutuar për zhvillimet politike në vend dhe marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Haradinaj ka shprehur konsideratën e tij për angazhimin unik të shteteve anëtare të BE-së për arritjen e kësaj marrëveshjeje. 

“Në një takim përmbajtësor të zhvilluar sot me z. Tomáš Szunyog, shef i Zyrës së Bashkimit Evropian, njëherit Përfaqësues Special i BE-së në Kosovë, kemi diskutuar hapur për zhvillimet politike në vend, kjo edhe në frymën e obligimeve që duhet t'i kryejnë palët si rezultat i marrëveshjes për normalizim të marrëdhenieve midis Kosovës dhe Serbisë.
Shpreha konsideratën time për angazhimin unik të shteteve anëtare të BE-së për arritjen e kësaj marrëveshjeje. Po ashtu, pata kënaqesinë që të pranoj vlerësimin e Ambasadorit Szunyog për rolin konstruktiv të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe timin gjatë gjithë këtij procesi. Implementimi i kësaj marrëveshje hapë një perspektivë më të qartë integruese të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në strukturat euro-atlantike”
, ka shkruar ai. 

Takimi në Ohër

Në takimin e 18 marsit në Ohër, kryeministri i Kosovës Kurti dhe presidenti Aleksandër Vuçiç kanë bërë një marrëveshje paraprake për të zbatuar të gjitha dispozitat e Marrëveshjes dhe Aneksit të propozuar nga BE. Marrëveshja me 11 nene nuk e detyron Serbinë që të njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat. Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tani, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit. Propozimi evropian që përfshin 11 pika për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë konsiderohet si një nga mundësitë më të mira për të çuar rajonin përpara dhe për të krijuar kushte paqësore për të gjithë njerëzit që jetojnë në rajon.

ramush haradinaj

Sondazh

Poll