Bota

Neni 4 dhe 7 ngec 'marrëveshjen' Kosovë-Serbi, a do të binden Kurti dhe Vuçiç nga BE-ja?

Përplasja kontradiktore e liderëve Kurti-Vuçiç duket se lidhet ngushtë me nenet 4 dhe Nenit 7, aplikimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe Asociacionit të komunave me shumicë serbe. 

28 Mars 2023, 20:34 Nga a.l
Neni 4 dhe 7 ngec 'marrëveshjen' Kosovë-Serbi, a do të
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç

KOSOVË- Dy janë pikat kyçe të propozimit evropian që kanë sjellë ngërc në marrëveshjen finale të dialogut Kosovë-Serbi. Dy raunde të rëndësishme takimesh e bisedimesh intensive nën mbikëqyrjen e zyrtarëve të BE-së dhe duket se deri në këto momente marrëveshja i ngjan një drite në fund të tunelit, zbulimi i së cilës është shumë larg realitet. Teksa thirrjet nga BE-ja sa vjen e shtohen, duket se liderët e dy vendeve vazhdojnë të dakordësojnë njeri-tjetrin në parimet e këtij propozimi paqeje, por sa afër është marrëveshja finale? 

Përplasja kontradiktore e liderëve Kurti-Vuçiç duket se lidhet ngushtë me nenet 4 dhe Nenit 7, aplikimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe Asociacionit të komunave me shumicë serbe. 

Që këto nene (pjesë e propozimit evropian), të zbatohen duhet që të dy palët të nënshkruajnë. Deri më tani jemi në fazën fillestare, atë të dakordësimit dhe pranimit të planit të BE-së (Takimi në BRUKSEL) dhe dakordësimit për zbatimin e e këtij plani me 11 nene. Në takimin në Ohër nga parashikimi i evropianëve, pritej që dy liderët të firmosnin njëherë e mirë propozimin, por pak para nisjes së bisedimeve maratonë, liderët u shfaqën kontradiktorë me deklaratat e tyre 'tërhiq e mos e këput',duke vendosur një raund tjetër për të nënshkruar zgjidhjen e çështjesh së nxehtë. 

Nga njëra anë Serbia pret të shohë veprimet e qeverisë Kurti për Asosacionin, që parashihen në Nenin 7 dhe 10. Nga ana tjetër Kurti e ka pranuar Asosacionin brenda propozimit evropian, por pretendon se Serbia nuk do të respektojë marrëveshjet.  Kreu i qeverisë së Kosovës, e ka akuzuar presidentin serb Vuçiç se përmes deklaratave të tij “mund të shkelte” nenin 4, pasi ai tha se nuk do të pajtohej me anëtarësimin e Kosovës në OKB.

Çfarë parasheh Asociacioni?

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Sipas marrëveshjeve, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të këtyre komunave, veçmas në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë. Marrëveshja e vitit 2013 për Asociacionin thekson se ai do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës.

Po ashtu thuhet se Asociacioni do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore dhe që do të ketë një rol përfaqësimi tek autoritetet qendrore.

Sipas marrëveshjes së vitit 2015 për parimet për krijimin e Asociacionit, objektivat kryesorë të Asociacionit janë: ushtron vështrimin e plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale; ushtron vështrimin e plotë në fushën e arsimit; ushtron vështrimin e plotë për përmirësimin e shëndetësisë lokale primare e sekondare dhe përkujdesjen sociale; ushtron vështrimin e plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rural; aprovon masa për përmirësimin e kushteve lokale të jetesës për të kthyerit në Kosovë; zhvillon, koordinon, lehtëson aktivitete hulumtuese dhe zhvillimore; promovon, shpërndan, dhe avokon për çështjet me interes të përbashkët të anëtarëve të tij dhe i përfaqëson ata përfshirë tek autoritetet qendrore; vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare, etj.

Takimi në Ohër

Në takimin e 18 marsit në Ohër, kryeministri i Kosovës Kurti dhe presidenti Aleksandër Vuçiç kanë bërë një marrëveshje paraprake për të zbatuar të gjitha dispozitat e Marrëveshjes dhe Aneksit të propozuar nga BE. Marrëveshja me 11 nene nuk e detyron Serbinë që të njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat. Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tani, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit. Propozimi evropian që përfshin 11 pika për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë konsiderohet si një nga mundësitë më të mira për të çuar rajonin përpara dhe për të krijuar kushte paqësore për të gjithë njerëzit që jetojnë në rajon.

dialogu kosove-serbi

Sondazh

Poll