Bota

Borrell jep detaje për takimin në Ohër: Nesër do të diskutojmë një version të konsoliduar të planit të BE-së duke iu referuar qëndrimeve Kurti-Vuçiç

Ai gjithashtu ka deklaruar se Kosova dhe Serbia tashmë kanë shprehur qëndrimin e tyre për aneksin e implementimit të Propozimit evropian, për përmbajtjen e së cilës kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiç u pajtuan më 27 shkurt në Bruksel. 

17 Mars 2023, 20:16 Nga a.l
Borrell jep detaje për takimin në Ohër: Nesër do të
Josep Borrell

KOSOVË- Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell, ka dhënë detaje për takimin në Ohër që është planifikuar të mbahet nesër mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Pas takimit me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevan Pendarovski, Borrell ka dalë në një konferencë për media ku ka thënë se ky takim është i rëndësishëm dhe një mundësi që nuk duhet humbur.

Ai gjithashtu ka deklaruar se Kosova dhe Serbia tashmë kanë shprehur qëndrimin e tyre për aneksin e implementimit të Propozimit evropian, për përmbajtjen e së cilës kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiç u pajtuan më 27 shkurt në Bruksel. 

Dua të bëj një lloj përkujtimi të asaj se ku jemi dhe ku duam të jemi. Para tri javësh në Bruksel, Kurti dhe Vuçiç u darkoduan mbi propozimin e BE-së. Ata janë pajtuar që ky propozim do të jetë rruga drejt normalizimit të marrëdhënieve mes tyre. Janë pajtuar se do të takohen së shpejti për të finalizuar ankesin e zbatimit. Ky takim që do të mbahet nesër do të mbahet për të përcaktuar hapat konkret që duhet të ndërmerren në një periudhë kohore konkrete, çka duhet të bëhet, kur edhe si. Kemi një histori të gjatë të marrëveshjeve që nuk janë zbatuar kurrë. Të dyja palët kanë ofruar komentet e tyre për aneksin e zbatimit të marrëveshjes, ndërsa nesër do t’i diskutojmë dhe do të prodhojmë një version të konsoliduar të ankesit në bazë të këtyre komenteve dhe diskutimeve”, është shprehur Borrell.

Borrell gjithashtu ka thënë se shpreson që Kosova dhe Serbia të arrijnë të pajtohen mbi rezultatin përfundimtar të këtyre diskutimeve.

Ky aneks i zbatimit do të jetë pjesë përbërëse e marrëveshjes. Nëse arrijmë ta bëjmë këtë do t’i vendosim marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë në një shteg afatgjatë e stabil në tejkalimin e krizave që i kemi pasur të shpeshta në muajt paraprak”, është shprehur Borrell, duke shtuar se shpreson që të krijohet një momentum i ri për zgjerimin e BE-së.

Nesër në Ohër, Kosova dhe Serbia do të mbajnë takimin e radhës në kuadër të procesit të dialogut. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç tashmë kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në këtë takim. Ndërsa, përveç tyre pjesëmarrës do të jenë edhe shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borell, si dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

dialogu kosove-serbi josep borrell

Sondazh

Poll