Bota

Kurti nga Ohri: Jam gati për marrëveshje, Serbia kapitulloi njëherë në Kumanovë

Kurti, gjithashtu ka komentuar edhe deklaratat pesimiste të presidentit serb, Vuçiç.

17 Mars 2023, 20:06 Nga a.l
Kurti nga Ohri: Jam gati për marrëveshje, Serbia kapitulloi
Albin Kurti

KOSOVË- Kryeministri Albin Kurti ka mbërritur në Ohër, aty ku do të mbahet takimi i dytë me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç dhe zyrtarët e BE-së. Ai është shprehur optimist se marrëveshja do të arrihet. 

Jam i interesuar për një marrëveshje, po shkoj me vullnet të mirë, me qëllime të mira dhe besimin për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë. S’mund të ketë kapitullim të Serbisë në Ohër, pasi që kjo ka ndodhur tashmë në Kumanovë më 9 korrik, 1999”, ka thënë Kryeministri Kurti për televizionin Alsat. 

Kurti, gjithashtu ka komentuar edhe deklaratat pesimiste të presidentit serb, Vuçiç.

Dëgjova deklaratat se çdo marrëveshje në Ohër është e refuzuar apriori. Nuk mendoj se kjo është një qasje konstruktive. Unë nuk them që nëse nuk ka nënshkrim, atëherë kemi nënshkruar një mosmarrëveshje, por nuk mund të them që edhe pa nënshkrim mund të quhet marrëveshje e njëmendtë. E përsëris se do të jem i përkushtuar, konstruktiv dhe kreativ dhe se do të shkoj me vullnet, qëllim dhe besim të mirë, por sigurisht që nuk mund t’ia garantoj marrëveshjen palës tjetër”, theksoi Albin Kurti. 

Takimi në Ohër 

Në takimet në Ohër të Maqedonisë së Veriut, përveç delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë që do të takohen nën ndërmjetësimin e BE-së do të marrë pjesë edhe i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në cilësinë e vëzhguesit. Escobar më 17 mars në Prishtinë u takua me krerët shtetërorë dhe u shpreh optimist për një zgjidhje paqësore mes Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takimin me Escobar, tha se në Ohër delegacioni i Kosovës udhëton me vullnet të mirë, qëllime të mira dhe besim të mirë. Propozimi evropian, që Kosova dhe Serbia e pranuan më 27 shkurt, shihet si një marrëveshje e përkohshme e cila do të çojë në atë përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Edhe pse nuk e parasheh njohjen reciproke, diplomatët perëndimorë thonë se është marrëveshja më e mirë që aktualisht mund të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë.

albin kurti dialogu kosove-serbi

Sondazh

Poll