Bota

Pendarovski takon Lajçakun: Mbështes dialogun Kosovë-Serbi për gjetjen e një zgjidhjeje gjithpërfshirëse

Presidenti i Maqedonisë së Veriut theksoi se zgjidhja paqësore e çështjeve të hapura në Ballkanin Perëndimor duhet të jetë imperativ absolut për të gjithë.

17 Mars 2023, 18:14 Nga a.l
Pendarovski takon Lajçakun: Mbështes dialogun Kosovë-Serbi
Stevo Pendarovski

MAQEDONI E VERIUT- Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ka zhvilluar një takim me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, në rezidencën presidenciale 'Vila Vodno'. Ai ka deklaruar se Maqedonia e Veriut mbështet dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për gjetjen e një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse dhe normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve me ndërmjetësimin e BE-së dhe SHBA-së.  Në takim u diskutua për ngjarjet e fundit në Ballkanin Perëndimor, situatën në Kosovë dhe pritjet nga dialogu, ndikimin e pushtimit rus në Ukrainë dhe domosdoshmërinë e ruajtjes së stabilitetit rajonal.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut theksoi se zgjidhja paqësore e çështjeve të hapura në Ballkanin Perëndimor duhet të jetë imperativ absolut për të gjithë.

Maqedonia e Veriut, si edhe më parë, në mënyrë aktive do të kontribuojë në përmirësimin e bashkëpunimit rajonal për të siguruar paqen, stabilitetin dhe përparimin e rajonit”, tha Pendarovski.

Takimi në Ohër 

Në takimet në Ohër të Maqedonisë së Veriut, përveç delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë që do të takohen nën ndërmjetësimin e BE-së do të marrë pjesë edhe i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në cilësinë e vëzhguesit. Escobar më 17 mars në Prishtinë u takua me krerët shtetërorë dhe u shpreh optimist për një zgjidhje paqësore mes Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takimin me Escobar, tha se në Ohër delegacioni i Kosovës udhëton me vullnet të mirë, qëllime të mira dhe besim të mirë. Propozimi evropian, që Kosova dhe Serbia e pranuan më 27 shkurt, shihet si një marrëveshje e përkohshme e cila do të çojë në atë përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Edhe pse nuk e parasheh njohjen reciproke, diplomatët perëndimorë thonë se është marrëveshja më e mirë që aktualisht mund të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë.

stevo pendarovski

Sondazh

Poll