Bota

Takimi me ambasadorin Hovenier/ Abdixhiku: Kosovës i duhet marrëveshje me njohje reciproke

Asnjë marrëveshje tjetër, sipas Abdixhikut, nuk garanton normalizim të raporteve me Serbinë.

14 Mars 2023, 17:59 Nga a.l
Takimi me ambasadorin Hovenier/ Abdixhiku: Kosovës i duhet marrëveshje
Lumir Abdixhiku

KOSOVË- Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier ka zhvilluar sot një takim me kreun e partisë Lëvizja Demokratike e Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, në zyrat ë këtij të fundit. Pas këtij takimi, ai lë të kuptohet se LDK-ja nuk ka ndryshuar qëndrim karshi propozimit evropian, të cilin ndërkombëtarët i kërkojnë ta përkrahin.Përmes një postimi në rrjetin social 'Facebook', Abdixhiku thotë se LDK-ja qëndron prapa asaj se të gjitha marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, pra edhe ajo e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duhet të zbatohen. Por, LDK-ja thotë se marrëveshja me Serbinë duhet të jetë e përqëndruar në njohjen e ndërsjellë. Asnjë marrëveshje tjetër, sipas Abdixhikut, nuk garanton normalizim të raporteve me Serbinë. Ai thotë se me ambsadorin amerikan ka biseduar për dy nenet e propozimit evropian për normalizimin e raporteve Kosovë – Serbi, të cilin e ka pranuar Kryeministri Albin Kurti.

Postimi i plotë i Abdixhikut:

Kënaqësi e veçantë që me bashkëpunëtorët e mi, të pres në zyrat e LDK-së ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier. Themelet e bashkëpunimit tonë janë historike dhe mbi to do të vazhdojmë të ndërtojmë të ardhmen e përbashkët. Biseduam për zhvillimet politike në vend dhe procesin e dialogut. Ambasadorin e njoftova mbi qëndrimin tashmë të bërë publik të Lidhjes Demokratike të Kosovës mbi procesin e dialogut. LDK-ja i ka dhënë gjithnjë përkrahje procesit të dialogut, me ndërmjetësimin e BE-së dhe me përfshirjen e drejtpërdrejtë të ShBA-ve. LDK-ja po ashtu mbështet implementimin e të gjitha marrëveshjeve që janë arritur në këtë proces. LDK-ja përsërit se Kosovës i duhet një marrëveshje e përqendruar te njohja e ndërsjellë dhe se asnjë marrëveshje tjetër nuk garanton normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi. Në takim po ashtu elaboruam edhe pikëpamjet tona mbi Preambulën, Nenin 7 dhe Nenin 10 të tekstit të marrëveshjes.

Lidhur me dialogun Kosovë -Serbi dhe një marrëveshje potenciale ka folur sot edhe emisari i BE-së, Miroslav Lajcak në një intervistë për televizionin publik të Serbisë. Lajcak ka thënë se nëse s’do të ketë Asociacionin s’do të ketë as marrëveshje. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ndërkohë ka ritheksuar disa herë se Kosova s’do të krijojë Asociacion një-etnik edhe përkundër faktit se në propozimin franko-gjerman specifikohet se palët do të implementojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në të kaluarën në kuadër të dialogut të Brukselit. Më 18 mars në Bruksel do të bëhen diskutime për Aneksin e Implementimit, në të cilin me shumë gjasë do të negociohet edhe për çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, marrëveshje të cilët e kërkojnë edhe ndërkombëtarët.

lumir abdixhiku

Sondazh

Poll