Politike

Asnjë PD nuk regjistrohet për 14 majin, Alibeaj akuza Celibashit: Bëri shërbim politik, na la jashtë zgjedhjeve!

Me anë të një postimi në rrjetet e tij sociale, Alibeaj tha se Celibashi bëri një shërbim politik dhe se vendimi i tij ishte i ndikuar, ndaj dhe e la opozitën jashtë zgjedhjeve.

14 Mars 2023, 17:28 Nga k.m.
Asnjë PD nuk regjistrohet për 14 majin, Alibeaj akuza Celibashit:
Enkelejd Alibeaj

TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka sulmuar gjithashtu kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi pas vendimit që asnjë nga PD-të nuk do të regjistrohen në zgjedhje. Me anë të një postimi në rrjetet e tij sociale, Alibeaj tha se Celibashi bëri një shërbim politik dhe se vendimi i tij ishte i ndikuar, ndaj dhe e la opozitën jashtë zgjedhjeve. Po ashtu ndër të tjera, ai shtoi gjithashtu se vendimi do të apelohej në KAS.

"Vendimi i paralajmëruar i Komisionerit të Zgjedhjeve është qartas i ndikuar politikisht nga aktorët politikë të interesuar që PD të mos regjistrohet në procesin e zgjedhjeve vendore të 14 majit. Sikundër e deklaroi dhe publikisht, zoti Celibashi e ka të pamundur të ndajë opinionet dhe tifozerinë personale nga faktet juridike. Për pasojë, vendimi i tij e zgjat pa fund dhe pa arsye të qenësishme regjistrimin e PD. Dukshëm, e madje deri në kufijtë e groteskut, komisioneri nisur vetëm për shërbim politik ndaj kundërshtarëve të PD, vendos ta përjashtojë nga zgjedhjet. Siç ndodhte këtu e 32 vjet më parë, kur ishte partia në pushtet ajo që lejonte ne zgjedhje vetëm satelitët e saj. Kjo marrëzi politike, si 32 vjet më parë, i ndodh sot Shqipërisë kur është vend i NATO-s dhe synon të jetë anëtar i BE-së! Megjithëkëtë e si përherë do të vijojmë rrugën ligjore për të finalizuar përfaqësimin e PD në 14 maj. Çdo artificë ligjore apo arsye e stisur politike dhe aspak ligjore është thjesht rruga e dëshpëruar që zgjatime të politikës së vjetër në institucione kushtetuese të pavarura kanë zgjedhur për të na penguar në rrugën tonë. Nuk do ia dalin!!,"-shkruan Alibeaj.

Asnjë nga Partitë Demokratike nuk do të regjistrohet në zgjedhjet lokale të 14 majit. Vendimi është marrë nga Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet, Ilirjan Celibashi, në mbledhjen e sotme të KQZ-së. Sot, sipas KQZ, legjitimitetin për të kërkuar legjitimitetin për regjistrimin e PD në zgjedhje e ka Lulzim Basha, i cili ligjërisht figuron kryetar, edhe pse ka dhënë publikisht dorëheqjen. Por problem është fakti që Basha nuk ka firmosur deklaratën solemne për regjistrimin në zgjedhje.

enkelejd alibeaj asnje pd ne zgjedhje

Sondazh

Poll