Sport

Superiorja/ Perla e Gjelbërim Taipit thyen Partizanin, Egnatia triumfon në transfertën e vështirë ndaj Bylisit…

Partizani gabon në Kukës, humbet 1-0 ndaj verilindorëve, të cilët e kalojnë vijën e kuqe të mbijetesës. Fiton 3-2 edhe Egnatia në Ballsh, duke konsoliduar vendin e katërt, mallastriotët vazhdojnë të notojnë në ujëra të turbullt

24 Shkurt 2023, 15:35 Nga DOSJA
Superiorja/ Perla e Gjelbërim Taipit thyen Partizanin, Egnatia triumfon

TIRANE - Në mesditë, duke nisur nga orën 13:00, janë luajtur dy ndeshje të javës së 23-të të Abissnet Superiores. Në ‘Kukës Arena’, skuadra verilindore fitoi 1-0 ndaj Partizanit, ndërkohë që feston edhe Egnatia në Ballsh.

Kukësi siguroi tri pikë të arta përballë “Demave” të kryeqytetit, ku eurogoli i Gjelbrim Taipit, vendosi fatin e takimit. Kapiteni i kuksianëve realizoi një gol shumë të bukur me gjysmë kthesë, në minutën e 22-të, që rezultoi edhe vendimtar. Me suksesin e sotëm, Kukësi është ngjitur në kuotën e 28 pikëve, ndërsa Partizani mbetet me 37 pikë.

Skuadra rrogozhinase e Egnatias fitoi 2-3 në Ballsh, përballë Bylisit vendas, duke u ngjitur e vetme në vendin e katërt me 34 pikë. Golat u realizuan në fraksionin e dytë të sfidës. Xhonathan Lajthia shënoi me kokë dhe kaloi vendasit në avantazh n minutën e 47-të. Më pas ndodhi përmbysja. VAR-i akordoi penallti për Egnatian dhe karton të kuq për Damcevskin e Bylisit.

Jackson u tregua i saktë dhe vendosi barazpeshën 1-1 në minutën e 56-të. Egnatia kaloi në avantazh me golin e Raphael Dwamena (63’), ndërkohë që mbrojtësi Sotiq Atanda (83’) realizoi golin e tretë për skuadrën nga Rrogozhina. Goli i Aleksander Trumcit (87’), pati vlerë vetëm për të ngushtuar diferencën në 2-3 për Egnatian.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll