Sport

Shtypi francez akuzon skuadrën kosovare të Llapit për trukime të ndeshjeve, alarmohet Federata e Futbollit të Kosovës

FFK, së bashku me autoritetet në Kosovë, do të koordinohet me UEFA-n dhe organet tjera ndërkombëtare për hetimin e këtij rasti dhe varësisht prej rezultateve të hetimit, organet tona disiplinore do të ndërmarrin masat e nevojshme ndaj klubeve apo individëve të përfshirë në parregullsitë eventuale.

24 Shkurt 2023, 13:22 Nga DOSJA
Shtypi francez akuzon skuadrën kosovare të Llapit për trukime

KOSOVE - Shtypi ndërkombëtar, veçanërisht ai francez ka akuzuar skuadrën kosovare të Llapit, si të impikuar në një rrjet kriminal të trukimeve të rezultateve të ndeshjeve. Menjëherë ka reaguar klubi i Llapit, i cili ka përgënjeshtruar me forcë lajmin.

Por nuk ka heshtur dhe ka reaguar me forcë edhe Federata e Futbollit të Kosovës, e cila ka bërë me dije, se do të nisë hetimet rreth kësaj çështjeje. Në një deklaratë për shtypin, ajo shkruan:

“Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës, në mbledhjen e mbajtur sot, shqyrtoi raportimet lidhur me pretendimet në mediat lokale dhe ndërkombëtare për parregullsi në ndeshje të Superligës së Kosovës.

KE ka ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme për ta hulumtuar rastin dhe për ta adresuar atë në mënyrë urgjente tek organet kompetente.

KE i FFK-së e ftoi në raportim zyrtarin për Integritet të Garave dhe i njëjti vuri në pah se në vazhdimësi i ka raportuar të gjitha çështjet dhe parregullsitë potenciale tek Këshilli për Parandalimin e Dhunës dhe dukurive tjera negative në sport, si organ kompetent në Republikën e Kosovës që merret me dukuritë negative.

Zyrtari për Integritet të Garave e njoftoi KE-në se në vazhdimësi ka qenë në kontakt edhe me zyrtarët e UEFA-s dhe për çdo parregullsi e ka informuar Këshillin e lartpërmendur dhe nëse ka pasur nevojë edhe organet disiplinore.

FFK, së bashku me autoritetet në Kosovë, do të koordinohet me UEFA-n dhe organet tjera ndërkombëtare për hetimin e këtij rasti dhe varësisht prej rezultateve të hetimit, organet tona disiplinore do të ndërmarrin masat e nevojshme ndaj klubeve apo individëve të përfshirë në parregullsitë eventuale.

FFK, rikujton se tash e disa vjet nëpërmjet zyrtarit të saj për Integritet të Garave dhe UEFA-në, kanë mbajtur seminare dhe takime me stafe të klubeve dhe futbollistë për sensibilizim në parandalimin e ndërhyrjeve të keqbërësve në futboll, teksa në vazhdimësi i monitoron të gjitha ndeshjet, në partneritet të plotë me kompanitë e aranzhuara nga UEFA rreth kësaj çështje.

FFK është plotësisht e gatshme të bashkëpunojmë me çdo autoritet të Republikës së Kosovës dhe me ato ndërkombëtare, në mënyrë që të ruhet integriteti i futbollit dhe i sportit kosovar në përgjithësi.

Kampionati ynë vitet e fundit është rritur jashtëzakonisht shumë si në aspektin e cilësisë, ashtu edhe në atë të organizimit dhe të investimeve, prandaj si FFK do të qëndrojmë vigjilent dhe do të jemi zero tolerant ndaj keqpërdoruesve dhe çdo gjëje që e njollos integritetin e garës dhe imazhin e futbollit tonë”.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll