Politike

KPK konfirmon në detyrë gjyqtaren Entela Shedula

Vendimi është marrë në mbledjen e sotme të KPK-së me pretendimin se gjyqtarja Shedula ishte e pastër në të tre shtyllat e Vettingut.

27 Janar 2023, 13:19 Nga k.m.
KPK konfirmon në detyrë gjyqtaren Entela Shedula
Entela Shedula

TIRANË- Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë gjyqtaren Entela Shedula. Vendimi është marrë në mbledjen e sotme të KPK-së me pretendimin se gjyqtarja Shedula ishte e pastër në të tre shtyllat e Vettingut.

"Trupi gjykues në vijim të procesit të vlerësimit të dy kritereve të tjera, të kontrollit të figurës dhe të vlerësimit profesional shqyrtoi dokumentacionin e dërguar nga institucionet e vlerësimit dhe zhvilloi hetimin administrativ. Kytrup gjykues pasi dëgjoi znj. Shedula vendos: Konfirmimin në detyrë të znj. Entela Shedula."

Pas prishjes së vendimit të shkarkimit të kryetares së Gjykatës së Kavajës, Entela Shedula nga Kolegji i Posaçëm të Apelimit, KPA, ajo u përball sërish me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK kur gjatë një seance dëgjimore të shkurtër shprehu dakordësinë për konkluzionet e reja mbi hetimet për figurën dhe profesionalizmin.

Entela Shedula u shkarkua nga KPK më 4 qershor 2020 pasi u konkludua se kishte mungesë të burimeve financiare për ndërtimin e një vile tre katëshe dhe blerjen e një autoveture. Po ashtu, u konstatuan deklarime të pasakta e të pamjaftueshme për të ardhurat dhe për pasuritë.

Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar në KPK më 30 janar 2020, nuk u relatuan probleme për figurën dhe profesionalizmin, megjithatë vendimarrja në shkallën e parë u konkludua vetëm për pasurinë. Gjyqtarja Shedula e ankimoi në Kolegj vendimin e shkarkimit të saj, ku gjatë shqyrtimit në dhomë këshillimi u konstatuan shkelje procedurale të kryera në procesin e Komisionit dhe për rrjedhojë çështja u kalua për shqyrtim në seancë publike. Kolegji i gjeti të drejta shkaqet e subjektit për pasurinë dhe e riktheu çështjen në KPK, me qëllim vijimin dhe përfundimin e hetimit për dy kriteret e tjerë.

entela shedula

Sondazh

Poll