Aktualitet

Sekuestrohen 4 apartamente me vlerë 300 mijë euro në Elbasan, në pronësi të parukieres dhe partnerit të saj, 'kapoja' i grupit i dënuar për drogë

Zamira Gjongecaj u arrestua në vitin 2005 për shpërndarjen e drogërave të forta në Tiranë. Në banesën e Zamira Gjongecajt u gjetën 5 kg heroinë.

19 Janar 2023, 12:27 Nga F.M
Sekuestrohen 4 apartamente me vlerë 300 mijë euro në Elbasan,
Elbasan

ELBASAN- Katër apartamente me vlerë 300 mijë euro janë sekuestruar në bazë të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në kuadër të operacionit policor të koduar "Fasada 4". Në njoftimin zyrtar të policisë, bëhet me dije se pronarët e apartamenteve rezultojnë të jenë bashkëjetues. Ata janë Zamira Gjongecaj e Besnik Braka, përkatësisht 48 vjeçe, banuese në Elbasan dhe 58 vjeç, banues në Tiranë. Të dy rezultojnë të dënuar në vitin 2009, nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, për veprat penale "Trafikimi i armëve dhe i municionit" , "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve" dhe "Falsifikimi i dokumenteve".

Zamira Gjongecaj u arrestua në vitin 2005 për shpërndarjen e drogërave të forta në Tiranë. Në banesën e Zamira Gjongecajt u gjetën 5 kg heroinë. Kreu i grupit ku ishte pjesë dhe Zamira Gjongecaj ishte Besnik Braka, nga Elbasani. Droga, sipas akuzës, ishte destinuar të nisej drejt Italisë. Zamira ishte e dashura e Besnik Brakës. Në atë kohë, Gjongecaj u shpreh para togave të zeza se ishte shtatzënë prej dy muajsh, duke kërkuar një masë më të butë arresti.

Njoftimi i DVP Elbasan:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Fasada 4”, si rezultat i punës gjurmuese-policore ndaj pasurive me burime kriminale.
 Konfiskohen 4 apartamente me vlerë 300 000 euro, të ndodhura në Elbasan. Pronarët bashkëjetues, të dënuar nga Gjykata për Krimet e Rënda, në vitin 2009, për trafikim armësh, drogë dhe falsifikim. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Elbasan kanë referuar materialet në Prokurori për iniciimin e një procedimi pasuror dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në kuadër të operacionit policor të koduar "Fasada 4", kanë konfiskuar 4 pasuri të paluajtshme (apartamente), me vlerë rreth 300 000 euro, që dyshohet se e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale të shtetasve:

-Z. Gj., 48 vjeçe, banuese në Elbasan dhe N. V. alias B. B., 58 vjeç, banues në Tiranë (bashkëjetues).

Këta shtetas janë dënuar ne vitin 2009, nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, për veprat penale "Trafikimi i armëve dhe i municionit" , "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve" dhe "Falsifikimi i dokumenteve". Në zbatim të vendimit të Gjykatës, u konfiskuan 4 apartamente me vlerë 300 000 euro, me sipërfaqe totale rreth 470 m2, të ndodhura në Elbasan. Vijon puna për gjurmimin dhe konfiskimin e pasurive të tjera që rrjedhin nga veprimtari të ndryshme kriminale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

sekuestrohen 4 apartamente ne elbasan zamira gjongecaj besnik braka

Sondazh

Poll