Sport

Firmoset marrëveshja me MAS për futjen e futbollit në programet e shkollave, Duka: “Synimi, t’i afrojmë fëmijët me futbollin”

Marrëveshja u nënshkrua përmes një ceremonie zyrtare nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, organizuar në ambientet e MAS.

16 Janar 2023, 16:38 Nga DOSJA

Firmoset marrëveshja me MAS për futjen e futbollit në programet e

TIRANE - Është nënshkruar sot mes Federata Shqiptare të Futbollit dhe Ministrisë së Arsimit e Sportit marrëveshja e bashkëpunimit në kuadër të projektit “Programi i Futbollit për Shkollat”, që do të realizohet me mbështetjen e FIFA-s.

Për të implementuar këtë bashkëpunim do të ngrihet një grup i përbashkët pune, që do të koordinojë programin në të gjitha fazat, duke përfshirë edhe FIFA-n. Programi do të zbatohet në 116 shkolla në të gjithë Shqipërinë, teksa numri i mësuesve dhe veçanërisht fëmijëve të përfshirë do të jetë shumë i madh.

Në prononcimin për mediat gjatë ceremonies, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, tha se ky është një projekt shumë i rëndësishëm që bëhet për herë të parë në Shqipëri dhe se përmes futbollit mund të edukojmë më mirë nëpër shkollat e vendit brezat e rinj.

“Ju falënderoj që jeni në këtë ceremoni modeste, por shumë të rëndësishme për edukimin e fëmijëve nëpërmjet sportit. Ky është një projekt pilot, i pari në botë dhe që bëhet në Shqipëri. Është një insistim, si rrallë ndonjëherë i ministres Kushi, që në takimin që kishim për inaugurimin e ‘Shtëpisë së Futbollit’, objektivi ishte ky, që t’i kërkonte presidentit të FIFA-s një projekt për shkollat dhe ia arriti për të gjithë fëmijët e Shqipërisë, në 116 shkolla në fillim dhe për t’u shtrirë më tej. Futbolli nuk është thjesht kompeticion, jo thjesht një aktivitet për t’u bërë, por është shumë i rëndësishëm për edukimin e të gjithë brezave të ri. Kemi kohë që kemi insistuar që të kemi futboll në shkolla, por ja që u desh ky takim i ministres Kushi me presidentin Infantino për ta realizuar. Dua të falënderoj ministren, stafin e saj që ka punuar në bashkëpunim me stafin e FSHF-së, deri në kurorëzimin e miratimit të projektit”,- u shpreh presidenti Duka, duke theksuar se këtë vit, do të doja të ritheksoja që si asnjëherë tjetër në Shqipëri do të zhvillohen 10 turne europianë.

Ndërsa, Ministrja Kushi nga ana saj vlerësoi këtë nisëm, duke shpjeguar edhe detajet e projektit, që do të nisë fillimisht në 116 shkolla e më pas do të shtrihet në 416 shkolla të vendit, si edhe rolin kyç që ka futbolli në shoqërinë tonë si një nga sportet më popullore në Shqipëri.

“Ky është një projekt që konsiston në shumë aspekte, por i fokusuar kryesisht në krijimin e ekipeve të futbollit në shkollat 9-vjeçare. Së dyti në furnizimin me bazë materiale të shkollave për zhvillimin e këtyre aktiviteteve sportive dhe së treti, trajnimin e mësuesve të edukimit fizik, që më pas do të shërbejnë edhe si trajnerë të ekipeve sportive. Është një projekt që do të mbështetet totalisht nga FIFA. Në fazën e parë do të përfshihen 116 shkolla 9-vjeçare, për nxënësit djem dhe vajza. Në fazën e dytë do të përfshihen edhe 416 shkolla të tjera. Qëllimi është të identifikohen dhe të mbështeten talentet, por mbi të gjitha, ky është një projekt që mbështet edhe familjet shqiptare”,- tha ministria e Arsimit dhe Sportit, duke falënderuar Federatën Shqiptare të Futbollit dhe FIFA-n për mbështetjen e madhe për masivizimin e futbollit kudo nëpër Shqipëri.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll