Bota

'Serbët duhet të kuptojnë se bllokimi po u shkakton dëm atyre'/ Haradinaj: T’i kalojmë festat e fundvitit si evropianë e jo në barrikada

Përmes një postimi në rrjete sociale, Haradinaj gjithashtu shkruan se Kosova ka pranuar që serbët t’i trajtojë si qytetarë të barabartë, dhe në plot raste me të drejta edhe më të avancuara. 

21 Dhjetor 2022, 13:45 Nga a.l
'Serbët duhet të kuptojnë se bllokimi po u shkakton dëm
Ramush Haradinaj

KOSOVË- Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj u ka bërë thirrje serbëve lokalë në veri të Kosovës dhe udhëheqësve të tyre politikë që të heqin barrikadat. Përmes një postimi në rrjete sociale, Haradinaj ndër të tjera shkruan se Kosova ka pranuar që serbët t’i trajtojë si qytetarë të barabartë, dhe në plot raste me të drejta edhe më të avancuara. 

POSTIMI I PLOTË:

T’i kalojmë festat e fundvitit në qetësinë familjare e jo në barrikada
Serbët lokalë dhe udhëheqësit e tyre politikë, duhet ta kuptojnë se barrikadat më së shumti po u shkaktojnë dëm atyre. Nuk ka një tjetër rast në kontinentin evropian, (përjashto agresionin rus në Ukrainë), ku pengohet lëvizja e njerëzve, pos në veri të Kosovës.
Kosova ka pranuar që serbët t’i trajtojë si qytetarë të barabartë, dhe në plot raste me të drejta edhe më të avancuara.
Institucionet qendrore kanë hapur të gjitha dyert për integrimin e qytetarëve serbë, duke garantuar sigurinë për ta, duke marrë përsipër obligime të mëdha financiare, duke garantuar përfaqësimin e tyre politik madje edhe duke u dhënë të drejtën e vetos për plot çështje që kanë të bëjnë me interesat e tyre, kjo qoftë edhe duke e diskriminuar popullatën shumicë.
Nuk besoj se ka një rast tjetër ku qytetarët e një shteti për më shumë se 20 vjet nuk e paguajnë rrymën e shpenzuar, por këtë e bën shteti në emër të tyre, siç është rasti i Kosovës.
Prandaj, serbët në veri nuk kanë arsye të ndjehen as të rrezikuar as të nëpërkëmbur, e aq më pak kanë nevojë ta bllokojnë veten e veriun.
I ftoj përfaqësuesit politikë serbë, intelektualët e gjithë njerëzit e arsyeshëm, kudo ku janë, në Kosovë apo në Serbi, që të ushtrojnë gjithë ndikimin e tyre për heqjen e barrikadave.
Po ashtu, u bëj thirrje të gjitha vendeve mike të Kosovës apo të Serbisë, NATO-s e KFORIT, që të ndihmojnë në heqjen sa më parë të barrikadave, kësaj njolle të fundit në Evropë.
T’i kalojmë festat e fundvitit si evropianë e të civilizuar, në qetësinë familjare e jo në barrikada e me urrejtje për njëri-tjetrin.
Miqësisht Ramush Haradinaj 

Situata në pjesën veriore të vendit është e tensionuar që nga fillimi i dhjetorit. Në atë pjesë të banuar me shumicë serbe deri tani janë regjistruar disa incidente me armë zjarri, shok-bomba e granata dore. Gjithsej nëntë barrikada janë ngritur nga serbët lokalë, duke bllokuar rrugët në atë pjesë. Pjesëtarët e KFOR-it kanë shtuar prezencën në të dy drejtimet e kufijve me Serbinë. Aty po qëndrojnë edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të cilët kujdesen për sigurinë e qytetarëve shqiptarë e serbë. Barrikadat janë ngritur më 10 dhjetor si shenjë pakënaqësie ndaj arrestimit të ish-zyrtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq. Ai dyshohet se ka organizuar “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës më herët gjatë muajit dhjetor.

ramush haradinaj tensionet në veri të kosovës

Sondazh

Poll