Politike

Berisha citon KLSH: Në 7 vite, Edi Rama u ka grabitur shqiptarëve 8 miliardë e 200 milionë euro

Berisha tha se shqiptarët marrin rrugën e emigrimit për të mos qëndruar në Shqipëri, në një vend ku qeveria i vjedh.

30 Nëntor 2022, 19:47 Nga F.M
Berisha citon KLSH: Në 7 vite, Edi Rama u ka grabitur shqiptarëve 8
Sali Berisha

TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha ka cituar raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit për të akuzuar qeverinë për vjedhje. Në një takim me banorët e njësisë nr.5 në Tiranë, Berisha tha se shqiptarët marrin rrugën e emigrimit për të mos qëndruar në Shqipëri, në një vend ku qeveria i vjedh. Kreu i PD-së tha se vetëm në 8 muaj e këtij vitit, KLSH-ja ka konkluduar se janë vjedhur dhe shpërdoruar 1.2 miliardë Euro, apo 122 miliardë lekë.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Miqtë e mi! Sot ne jemi populli i gomoneve. Kur mbyll sytë një evropian dhe dëgjon emrin shqiptar, gjëja e parë që atij i vjen ndërmend janë gomonet e La Manshit. Një udhëtim tmerrësisht i rrezikshëm, me një prani shqiptare më të madhe se siriane, afgane dhe çdo populli tjetër. Ne sot u bëmë populli i gomoneve nga Edi Rama. Në 7 vite Edi Rama ka rekordet më të zeza në Europë, në qeverisje. Ka përzënë nga Shqipëria me politikat e tij vetëm në vendet e BE-së, 744 mijë shqiptarë. Kjo do të thotë se ai ka përzënë të ardhmen. Ju garantoj se nga këta 744 mijë, mbi 500 mijë janë të rinj dhe fëmijë. Në 7 vite, Edi Rama u ka grabitur shqiptarëve sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, 8 miliardë e 200 milionë euro. Nuk është kjo shifër e opozitës miqtë e mi. Kjo është shifër e KLSH-së. Vetëm në 8 muaj e këtij vitit, KLSH-ja ka konkluduar se janë vjedhur dhe shpërdoruar 1.2 miliardë Euro, apo 122 miliardë lekë. 122 miliardë lekë, garantoj këtu çdo rrogëtar të Shqipërisë, se mjaftojnë për të rritur rrogat e tyre, 130 %. Çfarë kërkuam ne në parlament. Nuk kërkuam 130 %, ne kërkuam të rriten rrogat 23 %, ne kërkuam të shtohen 23 miliardë lekë në fondin e rrogave. A i patë karton e kuq, si kope, njerëz pa ndjenja, pa dhembshuri. Ua thashë dhe aty, çfarë është kjo kërkesë 23 miliardë lekë, në një kohë kur keni vjedhur dhe shpërdoruar në 8 muaj 122 miliardë lekë sipas KLSH-së. U bë një betejë gjithë natën, se e bënë si hajdutë natën, buxhetin. Të gjitha amendamentet e opozitës kishin një synim, të lehtësonin dhimbjen e shqiptarëve. Të gjitha të marra së bashku, me lëvizjet fiskale, me rritjen e pensioneve, dyfishimin e ndihmës ekonomike, përgjysmimin apo heqjen e TVSH-së, përgjysmimin e akcizave, të gjitha së bashku shkonin 51% të parave që kanë vjedhur në 8 muaj. Që të gjitha i refuzuan. Asnjë qindarkë, ajo rritje është qesharake, ky e di. 

sali berisha

Sondazh

Poll