Politike

Thirrja e Berishës: Më 6 dhjetor Rama do mbyllë Tiranën, strehoni çdo demokrat në shtëpi një ditë para

Propozimi që Berisha u bën demokratëve.

30 Nëntor 2022, 19:34 Nga F.M
Thirrja e Berishës: Më 6 dhjetor Rama do mbyllë Tiranën,
Sali Berisha

TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha ka ftuar të gjithë qytetarët shqiptarë që jetojnë në Tiranë që të hapin dyert e shtëpive për demokratët që banojnë në rrethe. Në një takim me banorët e njësisë nr.5, Berisha tha se më datë 6 dhjetor, kryeministri Edi Rama do të mbyllë rrugët hyrëse në Tiranë për të penguar ardhjen e demokratëve. Për rrjedhoi, ai propozoi që demokratët të 'zbarkonin' në Tiranë një ditë para, që më datë 5 dhe të qëndronin tek të afërmit e tyre në kryeqytet. 

"Protesta do të jetë më 6 dhjetor. Ky me siguri do të mbyllë Tiranën, do të mbyllë të gjitha rrugët më atë datë për të penguar ardhjen e demokratëve nga rrethet. Ndaj unë ju bëj thirrje, më datë 5 strehoni çdo familjar e të afërm demokrat që keni në rrethe. Kjo do të bëjë që me datë 6, ata do të jenë në Tiranë dhe do të dalin të protestojnë në shesh kundër kësaj qeverie,"- tha Berisha. 

Policia e Shtetit nuk e ka miratuar lejen për protestën që pritet të mbahet në të njëjtën ditë kur në Tiranë do të vijnë dhe liderët evropianë për mbajtjen e Samitit BE-Ballkani Perëndimor. Kjo, pasi sipas policisë protesta përbën rrezik për sigurinë, por pavarësisht mungesës së lejes, Berisha është zotuar se do të dalë në shesh. Berisha e ka konsideruar nul, njoftimin e policisë duke shtuar se populli opozitar të martën e 6 dhjetorit në orën 12:00 do të mbushë Bulevardin. Ndërkohë që masat më 6 dhjetor duket do të jenë të ‘hekurta’, e në shërbim do të jenë jo më pak se rreth 1200 efektivë policie, duke mos i përfshirë forcat e sigurisë që kanë liderëve evropiane dhe rajonalë.

sali berisha protesta e opozites 6 dhjetor 2022

Sondazh

Poll