Politike

PRIMARET/ Servet Duzha prezanton kandidaturën për Bashkinë e Cërrikut: Qëllimi im i vetëm është të rikthej vëmendjen te qyteti im

Duke filluar nga politika e punësimit, tek rinia që po largohet, politikat sociale dhe tek sektori i bujqësisë që do të jetë prioriteti i Bashkisë, Duzha premton se do të sakrifikojë të gjitha energjitë e tij për t'i plotësuar këto mangësi të qytetit. 

25 Nëntor 2022, 14:13 Nga a.l
PRIMARET/ Servet Duzha prezanton kandidaturën për Bashkinë e
Servet Duzha

CËRRIK- Servet Duzha ka prezantuar kandidaturën për të marrë pjesë në procesin e primareve në Bashkinë e Cërrikut. Nga selia e PD-së, Duzha tha se qëllimi i tij i vetëm është që të rikthej vëmendjen te qyteti i tij. Sipas Duzhës në Cërrik ka shumë punë për të bërë dhe gjëra që duhen përmirësuar pasi janë neglizhuar nga qeveria. Duke filluar nga politika e punësimit, tek rinia që po largohet, politikat sociale dhe tek sektori i bujqësisë që do të jetë prioriteti i Bashkisë, Duzha premton se do të sakrifikojë të gjitha energjitë e tij për t'i plotësuar këto mangësi të qytetit. 

FJALIMI I PLOTË:

Përshëndetje! Të dashur qytetarë! Të nderuar anëtarë, mbështetës dhe anëtarë të Partisë Demokratike. Të nderuar qytetarë të qytetit të Cërrikut! Unë jam Servet Duzha, lindur, rritur dhe banues në Cërrik. I diplomuar për inxhinieri në universitetin Politeknik të Tiranës. Kam vendosur të marr pjesë në Primaret që Partia Demokratike po zhvillon në degën e Partisë

Demokratike në Cërrik në kuadër të zgjedhjeve vendore që do të zhvillohen në 14 maj 2023.
Jetën time ia kam kushtuar familjes dhe qytetit tim. Për asnjë moment nuk jam larguar nga Cërriku, por kam krijuar familjen në qytetin tim, me njerëzit e mi për të cilin kam dhënë kontributin tim si kryetar i bashkisë për përiudhën 2011-2015. Gjatë drejtimit tim si kryetar, kam punuar për qytetin dhe dera e institucionit ka qenë e hapur për të gjithë, pa dallime politike.

Mjaftonte një dyer trokitjeje dhe dyert e institucionit ishin të hapura. E kundërta ndodh sot.
Qëllimi im i vetëm është që të rikthej vëmendjen te qyteti im. Qytet i braktisur nga keqqeverisja. Të kthej vëmendjen tek rinia, e cila masivisht po largohet, sepse shpresa iu është vrarë. Të kthej vëmendjen te politika e punësimit, sepse qyteti im është qyteti i të papunëve. Të kthej vëmendjen te politikat sociale, sepse qytetarët në nevojë janë të braktisur. Të kthej mendjen te bujqësia, sektori prioritar i Bashkisë Cërrik, sepse 70% e territorit të saj është bujqësor dhe ndihma për bujkun është ndihmë e drejtpërdrejtë për familjet e tyre.

Ndaj si qytetar, si familjar, si shok dhe si mik i demokratëve dhe i banorëve të Cërrikut, kërkoj mbështetjen tuaj. Me mbështetjen tuaj do sakrifikoj të gjitha energjitë e mia për Cërrikun. Bashkë do ia dalim! Faleminderit!

Procesi i primareve do të mbyllet me datë 4 dhjetor. Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë kanë firmosur një marrëveshje parazgjedhore për të hyrë me kandidatëtë përbashkët në zgjedhje. Sipas marrëveshjes së firmosur nga kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha dhe kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta kandidatë për kryebashkiakë do të jenë të PD ndërsa PL do të marrë vetëm emrat e anëtarëve të këshillave bashkiakë. Nga 200 kandidatët që kanë dorëzuar aplikimin e tyre bie në sy emri i deputetit Luçiano Boçi i propozuar nga baza për bashkinë e Elbasanit. Ndërkohë garë e fortë mes kandidatëve pritet të jetë edhe Tiranë./ Dosja.al

primaret ne pd servet duzha

Sondazh

Poll